November 21, 2024

Dërgohet në proçes botimi libri poetik “Njatjeta,Thesaloniki!”, i autores Zoica Gjolla Popi

Lexues e miq të dashur!
Dërgova në proçes botimi,
dy librat e mi poetikë, në shtëpinë botuese Lena Graphic Prishtinë 2022!
Le të zbulojmë titullin e librit të parë.

Njatjeta,Thesaloniki!

Redaktor: Prof. Ramazan Hushi

Reçensues: Prof. Mikel Gojani

Autore: Zoica Gjolla Popi

Nga parathënia e shkrimtarit dhe studiusit prof. Ramazan Hushi. PARATHËNIE

VËLLIMI POETIK “NJATJETA, THESALONIKI!“ I ZOICA POPIT GJOLLËS

Ramazan HUSHI

Të bën përshtypje fakti që, në një hark kohor prej katër vitesh, poetesha Zoica Popi Gjolla ka botuar pesë vëllime, nga këto katër janë poetike: E larë me yjet-poezi (Prishtinë, 2018), Mrekullia e një nate-tregime (Prishtinë, 2019), Valsi i dashurisë, poezi (Prishtinë, 2020), Melodi të pakënduara, poezi (Prishtinë, 2020), si dhe Magjia e simfonisë, poezi (Prishtinë, 2021). Ky fakt dëshmon, së pari, për impresionet e shumta, të akumuluara prej disa dekadash nga kjo poete, me një shtrirje jo të zakonshme gjeografike, nga Shqipëria, Greqia, deri në Anglinë e largët, të cilat ajo gjeti rastin e mundësitë t’i hidhte në librat e saj në këtë kuartet të fundit kohor. Së dyti, kjo dëshmon për shpërthimin e vrullshëm të energjive krijuese të saj, e nxitur edhe nga dëshira e papërballueshme që librat e veta t’ua dhurojë lexuesve, të cilët janë objekti dhe subjekti në krijimtarinë e saj dhe që e kanë inkurajuar vazhdimisht, duke e vënë kështu veten përballë gjykimit të tyre. Së treti, dëshmon gjithashtu për punën e palodhur të poetes, duke pasur në dispozicion një potencial të begatë figurash, që di t’i përdorë me efektivitet, në vendin e duhur. Dhe duhet të the i që këto përpjekje të saj kanë gjetur një pritje të ngrohtë tek lexuesit, si brenda vendit, ashtu edhe jashtë kufijve të tij, duke i nderuar e vlerësuar poezitë e saj edhe me çmime të ndryshme.
Përpjekjet e lavdërueshme të kësaj poeteshe i konsideroj edhe si një sfidë të guximshme në ditët tona, sepse, si¢ pohon me të drejte studiuesi i njohur australian Clive James, “… po’ jetojmë në një epokë, kur pothuajse të gjithë jemi poetë, (d.m.th mbahemi si poetë-shënimi im), por pakkush di të shkruaj poezi”. Unë gjykoj që Zoica di të vjershërojë.
Ky libër me poezi është një tjetër befasi e këndshme për lexuesin, që është njohur tashmë me poezitë e kësaj poete she, nga e cila pret rritje cilësore nga libri në libër. Nga poezia e parë, Njatjeta, Thesaloniki, deri tek ajo e fundit, E dashurisë njerëzore, ndiejmë rrahjet e vrullshme të zemrës së një poeteshe, e cila synon t’ua transmetojë edhe lexuesve dhe kësisoj, i gjithë prodhimi i saj poetik në këtë libër merr formën e një bashkëbisedë shumë të këndshme poete-lexuesi.
Dihet që njësia bazë e muzikës është tingulli, e piktorit është ngjyra, kurse njësia bazë e gjuhës është fjala, e cila, qoftë e vetme, qoftë në marrëdhënie me fjalë të tjera, në laboratorin poetik të ¢do shkrimtari merr forma nga më të larmishmet, nga më të ¢çuditshmet. Fjala vërtet është njësi abstrakte, por në jetë, aq më tepër në art, ka peshën e saj, që i jep jetë. Pesha e fjalës! E gjithë jeta jonë është vënë në peshoren e saj. Ajo ka ngritur male me mrekulli, ashtu si¢ ka ulur male me gënjeshtra e me ligësi. Gjuha që flasin të gjithë njerëzit mbi tokë është një tërësi fjalësh të lidhura ngushtë mes tyre sipas ligjesh e kodesh të caktuara. Edhe natyra ka gjuhën e saj, edhe shpendët kanë gjuhën e tyre, edhe pemët, lulet, bimët etj., kanë gjuhën e tyre. Por edhe poetët kanë gjuhën e tyre të veçantë, ajo që quhet gjuha e poetëve, e cila është e njëjtë në gjithë botën dhe arsyeja është bash kjo, që ata, poetët, kanë aftësinë të flasin e të shkruajnë me gjuhën e pemëve, zogjve, insekteve, luleve, por edhe me gjuhën e shpirtit. Kjo gjuhë e veçantë përpunohet me kujdes në laboratorin e tij poetik.
Poetesha Zoica Popi Gjolla di ta përdorë mirë këtë gjuhë, nuk abuzon me të, ajo përpiqet të ruaj masën dhe kjo është ajo që quhet “respekti për gjuhën, për fjalën” Kjo është veçori e të gjithë poetëve, por jo të gjithë ia arrijnë qëllimit njëlloj. Edhe në poezitë e këtij libri ne è shohim këtë respekt për gjuhën. Brenda tyre fshihen të gjitha ndjenjat njerëzore: nga dashuria, malli, gëzimi, dhembshuria, admirimi, respekti, deri tek dhimbja, keqardhja, hidhërimi, brenga etj. Të gjitha këto, si për të na thënë që nuk jemi prej guri a prej hekuri, por prej mishi e gjaku, se këto ndjesi janë brenda qenies tonë e ato, gjithsesi na e zbukurojnë jetën. Kam parasysh këtu poezi të tilla, si: Mall, Vaj për shoqen, Shpirti, Të gjymtuarit, Përtej mallit, Me ty pranë, Bashkudhëtarë, Mërgimtarit, Nënës, Falja, Kërkoj, Ninullë engjëjsh, Kënga me ëndërr, Dashurisë etj. Ato dhe të tjera në libër janë të mbrujtura mirë e mirë me këto ndjesi, duke i bërë njerëzore, të besueshme, të afërta. Ngjyrimi lirik i poezive të saj njeh nuanca të ndryshme, nga drithërimat e forta të shpirtit për dika të bukur që përjeton, deri tek një fllad i lehtë e i ëmbël erotik, që të mbush me optimizëm. Vargjet e saj nuk janë të sforcuar, por vijnë ashtu natyrshëm, siç i burojnë nga thellësitë e shpirtit. Por të bën përshtypje, tepër e veçantë për këtë poeteshë, që në këtë libër nuk ka depërtuar krimbi i urrejtjes. Dhe kjo nuk është rastësi, por e ka burimin tek shpirti human i saj, e cila udhëhiqet nga kredoja, që në jetë ne njerëzit duhet të udhëhiqemi jo nga urrejtja, por nga dashuria, dashuria sublime, dashuria me përmasa madhore. Ky margaritar ndodhet në shpirti e ¢do njeriu, ashtu si¢ fshihet në një perlë. Por jo të gjithë e zbulojnë tek vetja. Zoica si poete është gjithnjë pranë njerëzve të saj të familjes, pranë bashkatdhetarëve, mërgimtarëve, pranë të varfërve, pranë prindërve, pranë shoqes që i vdiq fare e re, pranë fatkeqëve, pranë fëmijëve, pranë të dashuruarve, pranë miqve, të njohur, por dhe virtualë etj.
Përmbledhja poetike Përtej Mallit është një libër me vlera të shumta në përmbajtje, sidomos me mesazhet e notat e theksuara të optimizmit e dashurisë për njerëzit, për jetën. Kjo përmbajtje shkon në harmoni me një nivel artistik të kënaqshëm. Duke shfrytëzuar përvojat e grumbulluara ndër vite, ajo të befason gjithnjë me figura të reja e mjaft të goditura, që të dhurojnë emocione.
Po’ citoj pak vargje shkëputur nga ndonjë poezi, ku mendimi I bukur është vendosur në një shtrat të sigurt figurativ:
Ah, dashuri,
pa ty zjarret s’do të
ndizeshin…
(Dashurisë)
Ose:
Kur ti hape sytë,
u thinje të nesërmen
nga meraku i saj…
(Të dehurit)
Ose:
Me vargun,
një urë të lidhim bashkë…
(Njihemi si miq)
Kur gjen vargje të tillë kaq të bukur, kujtoj fjalët e Heminguejit, që “.. letërsia është si ajsbergu: ajo që shihet është vetëm një pjesë e vogël, pjesa më e madhe mbetet e zhytur..”
Ashtu si dhe në librat e tjerë vërejmë lidhjet e ngushta të poetes me poezinë popullore, nga e cila ajo merr shpirtin e lirë, pastërtinë e ndjenjave, por edhe motivet e bukura dhe ritmin muzikor të vargut. Përdorimi me vend i disa foljeve në mënyrën dëshirore, fjalët- kompozita, pyetjet retorike e pasthirrmat etj. dëshmojnë për një shkrirje organike të elementeve stilistiko-gjuhësorë me elementet artistike. Ashtu si¢ di të përdorë lehtësisht vargun e lirë, ajo shkruan bukur edhe poezi me varg të matur, ku respekton rregullat metrike, si rimën, numrin e rrokjeve, ritmin e brendshëm, me të cilat shpesh abuzohet, aq sa jo rrallë ndeshesh edhe me poezi që kanë emrin si të tilla, por që tingëllojnë si prozë. Që të bësh një varg të mirë, thoshte poeti ynë i madh Lasgush Poradeci, duhet shumë kohë, por, që të bësh disa poezi të bukura, nuk mjafton një jetë. Parë edhe në vëllimet poetike të mëparshme të kësaj poeteshe, mendoj që tashmë ajo po’ krijon profilin e vet poetik, një stil unik në ndërtimin e vargjeve, që e dallon nga shumë emra të tjerë debutues në poezinë tonë të sotme.

Kavajë, tetor 2022