May 19, 2024

Lulezjarri – Zoica Gjolla Popi

Poezi
marrë nga libri me poezi” E Larë Me Yjet”

LULEZJARRI

Mbahu fort në ashtin tim
kur dënesa rrallohet
e psherëtima bashkë me qiellin
shkrihet në avuj
në një frymëmarrje
që askush s’ia di fundin.

Zjarr u bëfsha
për të mbirë mbi flakë
lulezjarri!

Ku të la fuqi e shkretë
magnetike,
në cilat pika
të horizontit të lëshoj?

Pendëlaguri pëllumb
gjethethatat i rrëzoi
në tinguj grykësor
në lirinë e të kënduarit.

Qëndisma shpirtin
në fije bari shprese
që ecejakja
të peshoj
pa le të dridhet
boshti tokësor!