December 3, 2024

Rrezeshpresë – Zoica Gjolla Popi

Poezi
Marre nga libri” E Lare Me Yjet”

RREZESHPRESË

Ku më gjen dobësi e marrë
e ftohtë në gjoks si akullnajë
të më rëndosh si mal mbi supe
si një plagë që e rëndove
e mbylle e përvëlove
në një shpirt hone humbur
heshtje ndjenjash të përgjumur.

Unë të njoh dobësi e marrë
në frymëmarrje të padalë
je e huaj s’jam e jotja
je një hap i capitur
në shpirtin e drobitur
si kandil i venitur
që s’shuhet me lot të kripur.

Ku më çon moj e pabesë
në një humbje të pashpresë
por kur shtriqem unë marr krahë
si zgalem nëpër dallgë
qiell e toke i përflakë
me pishtarin shpresë ndritur
bërthamë qelizash përtëritur
në fuqi për tu ringritur.

Hiqmu hiqmu moj e marrë
lërma forcën të më godas
e të të bie si e çmendur
gjersa gishtërinjtë të më dhembin
të më kujtojnë se kur linda gjallë
duke qarë e ulëritur
prej një fati të paditur.

Në udhën e gjatë buzëputhur
tre ditë në ballë shkruar
engjëj nënash të praruar
ç’kërkon nga unë moj e hutuar!?
Të përballemi jo nuk dua,
çdo sekondë qesh një jetë
lind me diellin rrezeshpresë.