Vals i dashurisë – Zoica Gjolla Popi

ZOICA GJOLLA – POPI
VALS I DASHURISË
(Poezi)
Redaktor:
Ramazan Hushi
ZOICA GJOLLA POPI
VALS I DASHURISË
(Poezi)
Prishtinë, 2020
Parathënie
Çdo njeriu, sa herë që lexon një libër, sidomos libër artistik, i vijnë brenda vetes pyetje të ndryshme: pena që e shkroi atë libër është në hapat e para të saj, është e pasigurtë apo e sprovuar; ky libër të jep kënaqësi, të ngjall emocione, të fut në mendime apo nuk ndien asgjë për të; ky libër, me këtë subjekt a stil të kujton këtë ose atë shkrimtar apo është krejt i veçantë. Dhe, në fund të fundit, ky libër a ka lënë mbresa të forta tek tisi lexues apo jo.
Nga këto dyzime të natyrshme, që në fillim, vetëm diçka mund të pohoj për librin poetik “Valsi i dashurisë” të Zoica Gjollës Popit: që ky është një libër i pëlqyeshëm, tërheqës, që lexohet me kënaqësi.Ashtu si na u prezantua kjo autore në gjininë e prozës, e sukseshme dhe e veçantë në gjithë elementët artistikë, ashtu gjykoj që ajo na prezantohet edhe në gjininë e poezisë, qysh me përmbledhjen e parë poetike.
Poezia, si një lloj i veçantë i artitështë konsideruar gjithmonë simotër me muzikën.Edhe muzikanti, në mënyrë krejt të vetvetishme, synon ta shndërrojë muzikën e tij në poezi, por edhe poeti, nga ana tjetër, synon ta shndërrojë poezinë e tij në muzikë. Këtu nuk ka asgjë kontradiktore. Ky pikësynim i dyanshëm poet-muzikant duhet parë si një “dyluftim” madhor,i heshtur, paqësor, shumëshekullor për t’u bërëato njësh me njëra-tjetrën. Dhe kjo është plotësisht e besueshme, e pranueshme, që të çon tek më e mira, tek përsosmëria.
Pikërisht këto pikësynime i ka vënë vetes edhe kjo poete në krijimtarinë e saj poetike. Nga poezia e parë deri tek e fundit, lexuesi ndjen një lirizëm të ngrohtë, të afërt me botën tonë shpirtërore, që të përfshin pa u ndier në avujt e tij dhe të çon nëpër shtigje që ti s’I ke përjetuar, ose i ke përjetuar apo po i përjeton.Duke shikuar këtu raportin mes ngjarjes dhe ndjenjës, shquhet qartë prirja e kësaj poeteshe për t’u lënë vendin e parë ndjenjave, emocioneve dhe kësisoj i jep këtij libri ngjyrim krejtësisht lirik.Ngjarja, rrëfimi,(për luftën, për të kaluarën e vendit, për Kosovën, për heroin Indrit Cara, për prindët, për fëmijët etj,)i kanë shërbyer asaj vetëm si pikënisje për të shpalosur lirshëm refleksione dhe ndjenja krejtësisht spontane. Poezitë e saj, mbrujtur me dashuri të pastër, gati-gati hyjnore, me humanizëm të thellë, me tone thellësisht optimiste, rrezatojnë në të gjitha anët nota të gëzuara, emocione pozitive, larg ah-eve e oh-eve dëshpëruese, që i ndeshim shpesh në poezitë e këtij lloji, duke na kujtuar kështumendimin e bukur filozofik të poetit të madh simbolist francez, Çarl Bodler(Charles Baudelaire), që dhimbja, vuajtja janë një gjendje e veçantë fisnike për poetin, që e ngjitin atë në sferën e idealit. Konceptimi i saj poetik për jetën ka në embrion dashurinë për jetën, për njerëzit. Në të dy grupimet e lirikave të saj, erotike dhe meditative, ajo e sheh veten të shkrirë me njerëzit, me natyrën, me të dashuruarit. Edhe natyra, edhe dashuria jepen në libër jo si pronë e saj, por si objekt vëzhgimi e përjetimi për lexuesit.
Nëpër vargjet e ngjeshur me figura të bukura artistike, vetë intimiteti femëror shkrihet natyrshëm me nocionin e së bukurës, shfaqur me ndjeshmëri të hollë, dhe vjen e bëhet veshja unike, e tejdukshme në shumë poezi. Të gjitha këto, përmes vargjesh me ritme melodike, herë-herë edhe me ritmet e poezisë sonë popullore, duke synuar kështu, siç e nënvizova më lart, ta shndërrojë vargun e saj në melodi dhe poezinë e saj në muzikë.
Në të gjithë këtë përmbledhje, autorja e këtij libri e jep ngjyrimin lirik me të gjithë elementët e tij përbërës: jetësor, përshkrues, erotik, meditativ, filozofik, shoqëror, atdhetar etj, por në një masë të tillë që synon të ruajë ekuilibrat.Nëpër faqet e këtij libri gjen shpesh vargje e figura që të lënë mbresa të pashlyeshme, të cilët, në formë e në përmbajtje, na sjellin elementë të lirikës moderne:
Se fjala qëndroi pikë në vrer,
mbase pa dashur,
mbase për shaka,
eh, ç’e trembi gjumin
e s’e zura dot!
Ose vargje si:
Në rreze përthithjeje
dimri do të shndrijë,
e qeshura jote nesër
dëborën do ta shkrijë… etj, etj.
Vargu i saj është i lirë, por me ritme popullore, ai rrjedh e pulson natyrshëm, hyn pa u ndier në mendjet e në ndjenjat e lexuesit. Ajo është larg ndikimeve e manierave abstrakte, boshe. Vargu i saj është spontan, i natyrshëm, i vetëkontrolluar, për të mose tejkaluar masën.
Larmia e figuracionit, vargu i lirë e i kuptueshëm, ritmet e ëmbla të poezisë sonë popullore, digresionet e shpeshta lirike, gjuha e pasur, krijimi prej saj i shumë kompozitave(erëmali,yjeplota, degëprera, gërshetëlidhur, rrezengrohtë, luleçelura, erëmira etj.) me efekte gjuhësore-artistike, të gjitha këto veçori e bëjnë librin e Zoica Gjollës Popit të lexueshëm e të pëlqyeshëm për lexuesit.
Ramazan Hushi
Paqe e dashuri
Në tinguj violinash
në cicërima zogjsh
të porsadalë
në blegërima qengjash
të porsa lindur…
Në fluturim pëllumbash
në kaltërsi
ku lind një diell
e perëndon një ditë
në kurorë të ullinjve.
Haleluja…
në fuqi Hyjnore
në kumbim këmbanoresh
në bardhësi engjëjsh
në dashuri Perëndie.
Në kryqëzim venash gjaku
e kuqja në më të shenjtën të kuqe
Dashuri e Paqe njerëzore
Amen!
Tungjatjeta, e dashur!
Alo… alo!…
tungjatjeta e dashur!
Për atë fjalë që mundohet
por s’thuhet
ra në ujë
rreth formoi
ra në trup
e u drodha
ra në zemër
seç u plaka
seç u mpiva
seç u mpaka…
Ja që kështu jam unë
mos qofsh kështu dhe ti!
Alo… alo!…
më fal e dashur!
U turbullova
hutimi kafshoi buzën
dobësia u tund lehtë
si një gjethe plepi
nga erëmali fryrë
mendja përplasi dyert
arësyen të gjente.
Alo… alo!
përgjigju e dashur, aty je?
Si mes një oqeani
dhe nimfë u bëfsha
a arrij dot?
Se fjala qëndroi pikë në vrer
mbase padashur
mbase për shaka
eh, ç’e trembi gjumin
e s’e zura dot.
Alo… alo!
të lutem, falmë…e dashur!
Nuk qëndrova dot
mes dy kohëve
si ndërmjet dy anëve të një lëndine
se prekja kërkon prekjen
në dorën e ngrohtë
fjalëzat nëpër buzë
më shtendosën
brenda faljes…
Alo… alo!
Tungjatjeta, i dashur
këtu jam!
Imagjinatë
Mos i bëj yjet të qajnë
a e di, që unë çdo ylli
i kam vënë emrin tënd?
Në mijëra qirinj ndezur
sa shumë pëshpërima
që vetem ato i kanë dëgjuar
sa mbeta pezull mes tyre.
Dy shpirtëra, e në largësi janë pranë
sa shumë kemi për të thënë
në fjalë të menduara
në fjalë të pazgjedhura
të thëna si me veten
nganjëherë ashtu kuturu…
Ç’ më bën t’i këpus petalet e kamomilit
e të them fshehurazi
shëëeët .. me fat… pa fat…
më duket se i numërova gabim
por le të ndjehem skllave e dashurisë
mbret le të ndjehesh ti
ashtu nuk është thënë?
kështu nuk duam?
Bëji yjet të qeshin
sonte vallëzojnë me ne!
Shpresë
Shpejto…
pas ndriçimit të dritës
si pas kapjes së xixëllonjave
në netët yjeplota pranverore.
e kush nuk do të ngazëllehej?
Vrapo…
këmbëzbathur
si në lirinë e fëmijërisë
në një shteg të pashkelur
mos u huto
aty gjendu!
e kush nuk do ta kujtonte?
Nuk thërmohet shpresa
në mijëra copëra që psherëtijnë.
Kërko…
do ta tregoj ku është?
midis reve e ka folenë
ia përthithi qielli
shkronjat e mëdha
ah, të gjitha diamante!
Sa ka jetë, ka shpresë
Mbulo sytë
mos verbohesh nga dritat
ashtu vjen lumturia
e dehur nga qeshja
Mos u huto
me një të vështruar
brenda vetes
gjeje veten!
Mbi urëkalime
mes refleksesh të gjelbërta
shpejto
në do ta dish!
E hodha mendimin gërshetëlidhur
në gjysmëpemën e prerë
me akacien e spërdredhur
pranë një lumi
që rridhte deri aty.
Në ujin e njelmët
reflektonin degëprerat
në ngjyrë kafe te zbehur
nga zallahia e kohës.
Mos shterofshrrjedhë e pashtershme!
Mund të marrësh guralecë
në rrokullisje të zhurmëshme
me shpejtësinë tënde
por jo në gërryerje
të cekta, të thella.
Nuk e dua të marrin
formën e një harku
në goditjen e parë
mund të rrëzohem…
Më ngre, moj rrezengrohtë
prej dielli
vrapojmë të dyja këmbëzbathur
në drejtim të rrjedhës së shkumbëzuar
lidhma në flokëverdhat
fjongon rozë.
Afrohem pranë teje
në do ta dish…
Mes lule margaritash
Dorë për dore me finesë
mes lule margaritash e lashë zemrën
në nektar mes bardhësisë ritmoi.
Zemra… jetë…
Jetazemër që rreh.
Në shkëlqim verbues
rrethon diellin duke u falur.
Mos më thuaj ….
që s’e le dhe ti!
mos më thuaj
që s’e sheh ti!
Në një mpiksje sado të vogël
gjithçka mbetet pezull
një ftohje që të ngrin
në dhimbje që këlthet
e heshtur…
në lotë pa qarë
në jetë të pandarë
me ty… për ty!
Nëma dorën…
nga vjen kjo dridhje e nëmur
në heshtjen e vjedhur?
në hutimin e mbledhur
bërtit sa të duash!
Çelin lule margaritat
dhe kështu…
Më fal!
Më fal i shtrenjti im!
Më fal i shtrenjti im
s’i kemi thënë të gjitha,
as dhënë të gjitha
sepse një Univers
s’është shumë
për një fuqi dashurie
që s’ka fund.
Më fal, i shtrenjti im
që të dua kaq shumë
veç për vete!
a është mire ta lësh shpirtin në dorë
sa të dhimbset vetja?
Më fal, i shtrenjti im
që s’ di të dashuroj ndryshe
përse m’i mblodhe ëndrrat
të flenë me ty?
Kam frikë…
se ndjenja, thellë… thellë…
brenda qenies sime
me cicërimën e zogjve
në pranverën e harlisur
krijojnë një melodi
e zgjojnë një Yll
ashtu si nëpër ëndrra.
Më fal…, i shtrenjti im!
Bijtë e mi
Hënë, moj
u ndjemë të dyja
lehona binjake
në një çast
pas mesnate…
Në flokëartat e lagura
nga bulëza djerse të ftohta
në afshin e nxehtë të dhimbjes
mes llavës së një shkrirjeje të plotë.
Aty ku shpirti shëmbëlleu
në ngjyra lindjeje
dalë një pjesë nga vetja
zemra, përkëdheli zemërzën
në çmendurinë e rrahjeve.
Rilindja zgjoi instinktin
e mbledhur një dorë
në zhbirimin e mbrojtjes
duke e harruar dhimbshurinë për veten.
Sa shpejt lutja mori
nurin e një Hyjnije!
Ç’ më ka mbetur zakon
të vë duart në dy gjinjtë
aq sa dhe sot pikojnë
në fjalëmblën
buzëputhje në ninullë.
Dhe mbetem dyzetë ditë
lehonë, të dyja moj Hënë
kur mbretërit s’kanë fron
para përuljes së një Nëne.
Bijtë e mi…!
Të rriturit fëmijë
Në vallëzim ylberesh vrapojmë
si dy fëmijë të rritur
a thua
rrëzohemi përdore
me kokën lart
në pika shiu që pikojnë me lotët?
Mbahemi fort
në shkëlqim ylberesh
përthithemi
mes ngjyrash mjegullore
rrethuar mes veti.
Mos u trishto
nga dritëhijet e çrregullta
lëvizja do puthet me harmoninë
dashuria me dhimbjen
po si s’ paska e lumturi
pa lotë?
Lëshoma zërin e shpirtit
nuk i dua fjalët e zbehta
asgjë s’do ndryshojë nga kjo mrekulli
në vallëzim ylberesh
përhumbemi,
rizgjohemi…
Unë e Ti!
Imazh
Ej…, ju të dashuruarit!
me luleçelurat e prillit
kurorë i thurët natës
me aromën dehëse
e përkundët në dalldisje
me imazhin tuaj!
Të kam jetë, unë ty!
Ajo zgjati krahët
ju shtrëngoi fort
në tisin e saj…
puthja… sytë mbyllur
ç’i mbaka zgjatur
në fjalë të fshehura
që s’dinë të gënjejnë.
Dielli im je Ti!
Filloi të lozë
me pëshpërimat…
Si thatë?
me mua e keni?
u shkri së qeshuri
duke u fshehur në
errësirën e saj.
E bëtë të pafundmen natë
ti kërkojë falje hënës…
me fytyrën larë nga dielli.
Ej… ju të dashuruarit!
Sa hijshëm!
Vallë
frymëmarrje të plotë
në gjysmë shpirti
a mund të ketë?
I lodhur mendimi u thinj
pa u plakur akoma.
Në cilën skutë
u fsheh rrezja
në cilën ngjyrë
mbeti përthithja
sa lart mbi retë
qëndroi e shkreta?
Gjysmën e shpirtit
kërkoj i shtrenjti im
mos thuaj …
a … je… a… s’je…
se dhe vetë s’e di
a …jam…a…s’jam…
Dobësi e imponuar
në kurth e zure
qenien time…
Por unë jam… unë jam…
Me fuqi shpendësh fluturoj
me fuqi kuajsh vrapoj
sa afër
sa hijshëm
gjithë botën do ta falja
për një shpirt të plotë, kur ndjen!
Qiell i vrenjtur
Në një liri shpirti
nuk ka zinxhirë
a thua e përballoj
rrethinën e ngritur
me dashje apo pa dashje?
Ç’budallallëk
aty fantazia shfrenohet
imagjinata i mbledh vetëtimat
në një pikë lëshimi.
Me to do dirigjoj retë
në një melodi qiellore
që shpirtin ta ngrejmë peshë.
Shpërndaje qiell
melodinë e ëmbël
bëmë të harroj
dhimbjen që përpëlitet
në lumturinë që dridhet,
nga i ftohtigjer në palcë.
Jo deri aty
nga mërdhia të strukem
në fatin e kohës
Ti… e mban
kurorën e mbretërisë…
Por… por…
meloditë qiellore
janë te çuditshme
mund të tërheqin
në një akord ndryshe…
Prandaj
ndiqmë pas,
thirrmë…
merre me ngadalë, moj
ku shkon?!
Mos ma bëj qiellin të vrenjtur
në një mjegull të lagësht
që shpërndahet
pa formë
pa vetëdije
mos!
Mos qaj
Qielli qan me lotët e mi
por ti
mos qaj
me lotët e shpirtit tim!
Puthmë!
nga fjalëmblat
në tokën e lagur
plot jaseminë
do të çelin…
Erëmirat…
do të mbështjellin
në gjoksin tim…
Sa shumë dhimbje
por ti e di
ohhh… psherëtimat…
në urë shpirtërash kalojnë!
Në flakë zjarri…
more, u mbetshin!
Në lojë ngjyrash
koha nuk mbetet
peng i shqisave
Mos qaj!
Qeshu!
Degëpemet
si penela
kanë shtrirë krahët
drejt qiellit
në dekore mahnitëse.
Mall për Shqipërinë
Merre me të qarë, moj klarinetë
peng kam mbetur
në mërgimin e shkretë
në mall pa tretur!
Në lutje e sapozgjuar
kandilndezuri në vaj
largmbetura jetuar
hesht dënesë… mos qaj!
Po pse ky fat i shkruar
për një tokë të bekuar
plot diell e plot dritë
sytë m’u verbuan
nëpër re lodruar
me shpresë për një ditë…
Tërhiqmë, klarinetë
në një valle myzeqare
shamitundur-o
me djelmërinë e parë
vajzat lozonjare
belkëputurat-o!
Ç’ më ka marrë malli
në raki dëllinje…
një dolli të ngremë
s’ u bë nami
se dikush po dehet
bjer, moj klarinetë!
Aq male kaptuar
do të gjej, dollibash
me pranverën e tejlulëzuar
uromë…!
Mirëardhsh!
Valsi i dashurisë
Të ftoj
në një pikë loti fshehur
nga një mall i çmendur
me një dhimbshuri të dehur
valsin tonë të dashurisë
të vallëzojmë…
Ah,
dielli do tëçuditet
në përflakje të pavenitur
do harrojë të perëndojë.
Të përgjërohem
në një rrotullim rrethuar
në një ndjenjë lënduar
nuk do të lë!
Vazhdojmë vallëzojmësi dikur…
në një ritëm lehtë-lehtë.
Në një shtrëngim të fortë zemrash
lule pansetë çelin
në gjithë lumenjtë që rrjedhin
myshqevarurat pikojnë.
Në valsin tonë të dashurisë
harqet e violinavenë tinguj të pangrirë
kujtime do zgjojnë…
Diell në lindje
Ti ke emrin e diellit
rrezeshpërthyes
në ngjyrat e lindjes.
Në vizion horizontesh
hape krahët e dyfishtë
e përfshive tërë qiellin
brenda vetes.
Frymove jetët
në ajrin ku endet liria
e imagjinatës së dëshiruar.
Sa ëmbël e thua
të kam zemër ty
pa ditur, që shpirtin e përkunde
në mes të një oqeani
në dridhje
ku frika e zhytjes mbetet.
Të nanuris më ëmbël
do të dua përherë ty
në një breg dhimbjesh
në një lot që s’tretet!
Një shportë me trëndafila
Të kërkoj…
në shpresën e rikthimit
në Rrugën e Qumështit
atje… ku një ylli
i kam vënë emrin tend!
Urime Kosovë!
(Ushtrisë së Kosovës, më të re në botë)
Mbi një shkëmb latuar
ti statujë e Luftëtarit te Lirisë
nuk paske emër
qenke i Panjohur
para shumë vitesh
i vrarë
i gjakosur
aq sa dhe sot
në lulishten tënde
mbijnë vetëm lulekuqe.
Unë thith ajrin e lirë
të ëndrrës
mallin
e Luftëtarit të Kombit tim.
Sa më dhemb
aq sa për ty
aty ku mbijnë prej gjakut
mijëra bozhure!
Paqësisht
sot Rilindi Ushtria
nga embrioni i lirisë…
Si lumja ti
moj Kosovë trime!
Qeshja në diskun e hënës
Sa qesha me shpirt
në natën lozonjare
ç’u ngjit kumbimi
lart në diskun e hënës!
Merreni në një të qindtën
e sekondës në kohën tuaj
në momentin e këndshëm
vetëm ngrini kokën lart!
Aq ishte
Ju dollibashë
në avullin e ngrohtë
te përcjelljes së pikes
së parë të rakisë
ashtu çakërqejf…
ngrini dolli
për të qeshurën e diskut të hënës!
Aq ishte!
Se dhe vetë buzët
janë dy disqe hëne
në fjalën e ëmbël
brenda të gjitha dashurive.
Si lum ju
me hënën e qeshur
i gjithë universi
është juaji!
Ç’paskemi për të bërë be
për të qeshurën
e diskut të hënës!
Aq, qenka!!
Bekuar Krishtlindje
Dielli në lindje
shpërthim rrezedrite
në përflakje horizontesh
qëndroi të perëndonte.
Hëna e plotë
e qeshur si asnjëherë
me velin zbuluar
hijshëm nusëronte.
Ditënatë Hyjnore
në tinguj këmbore delesh
mes paqes së ullinjve
dashuri njerëzore kërkoje.
Mahnitshëm engjëjt hodhën valle
mbi qilima fluturues
në pafundësi yjesh
u ndezën qirinjtë
me këngën e shpirtit.
Bekuar Krishtlindje!
Vallëzojmë si dikur…
Një ëndërr zgjuar
kërkoj ta marr
në shpirt ta mbaj.
Eh…të rëntë pika
po për kokën tënde
mbamë, mos tundohem
mbamë, mos të çmendem!
Sa valë ka deti
rrezethyerat ndahen
le të puthen me bregun
që të mos përthahen.
Se vjen një ditë
vështrimin tej e hedh
le të jetë natë
le të jetë terr.
Një shkëndijë të fekset
shpirtin zjarr e ndez
mund të marrësh flakë
mund të digjesh vetë.
Prandaj mblidhe mendjen
lodro në një valë
në tinguj violine
s’ka melodi të çalë.
Vallëzojmë si dikur…
Qeshu, moj e marrë!
S’është akoma natë
Si t’ia bëj
të hesht apo të bërtas?
ku ra fillimi i një fundfjale?
atje…
rrëmbimthi në lëndimin e një shpirti
që s’duhet të thyhet.
Kërkon faljen?
ku ta gjej?
mes rrebeshit në lot shiu?
atje
rrathët formohen
rrathë…brenda rrethit…
figurë gjeometrike që endet
brenda gjykimit në stakimin e trurit.
Si t’ia bëj
qetësi memece
të pëshpëris apo të këlthas?
Jo!
për momentin s’dua të gjykoj
e lëshuar në dridhjen e mos
përqëndrimit.
Këlthitje…ku…ku…ku…
ndalu, moj kukuvajkë
s’është akoma natë
këndon apo vajton?
moj dritëshkurtër
mos e gërryej nga kafshimi
ndjesinë e gjorë!
Kam fuqinë në shtrëngime shpirti
ta afroj qiellin me tokën
ti nuk e di?
shëëët…shëëët!
Mos i zgjo engjëjt…
në ninullë bilbilash lëri të flenë!
Premtomë, Diell!
Për atë Hënë
s’do flë sonte!
padashje i ktheva shpinën
u harkua…mos u lëndua?
Ç’më bëre, Diell!
me penelin e argjendtë
në të rënë
fekse shumëngjyrat perënduese…
Shtanga
në konfiguracione mahnitëse
ma dërgove qenien
jashtë fantazisë time
aq sa m’u duk
sikur shëmbëlleve nëpër lëndinën
që puthej me muzgun.
Qëndro, më the!
me dorën e zgjatur
të zjarrtë
akoma të pashuar…
Jo…jo pas meje!
Çapkënshe
më joshe
më përkëdhele
mos më gënjeve
që perëndove pak më vonë
vetëm për mua?
Me shpejtësi drite
kapërdive ngjyrat
kur pe Hënën
duke zbuluar hiret e saj
në një mënyrë të panjohur
pak e turpëruar
lozonjare
ndjellëse…
Lerma Hënën…ah…hëna!
Dëshmitarja e gjitha dashurive…
Premtomë, Diell!
që nesër do puthemi
sërish në lindje!
Priti Yjet !
T’i hodha yjet
mbledhur në dorën time
në trajektoren e dëshiruar
paç fat, po të thonë
në degët e një palme zogjtë nisën të cicërojnë.
Mos nga hapësira qiellore
morën ritmin e dyfishuar
nga prekja…pa prekje
nga afër e nga larg
në mollëza gishtërinjsh të nderë
në durim…pritje…
në një trokitje
të asaj porte që mbeti hapur?
Në melodinë e ëmbël
të lajtmotivit tonë
kujtohu
përmendu…
pa u ulur në prehrin e harresës!
Luaj me mua
shtriqi qelizat!
në përqafimin
sa një rrotullim
në orbitën e plotë ëndërrimtare!
Plot finesë
kthyer në njëanësi
të degëqëndresës
përthyer nga peshëmbajtja
e filizave të shpresës.
Në hijen e një palme
zogjtë cicërojnë…
Gonxhja e trëndafilit
E këputa një gonxhe trëndafili
zgjatma dorën e ngrohtë
kudo që të jesh…
Pikëvesa akoma qëndron
shndrit në tretjen
e vështrimit tim.
Të lutem, merre
dehu me aromën
shkundu në imagjinatë!
Në kujtimin e një të qeshure
ngazëlluese
qielli e veshi ngjyrën e bluzës tënde.
Pak të hapurnë provokim shqisash
malli shkopsiti gjoksin për të dalë.
Nga maja pemët
sythet shpërthyen
në një shtjellim dimëror
në mbështjellje avujsh.
Merre gonxhen e trëndafilit
kudo që të jesh
mbama shpirtin në frymëmarrjen tënde
pa le mos tëçelë!
Dashurisë
Çfarë fuqie shpirti ke, dashuri
që më bën të qaj
të qesh si fëmijë
të rend në një lëndinë të pashkelur
me lule të çelura të pambledhura
erëmirat, moj!?
Më ndjell si Zanë mali
të lahem në krua
me buzë të etura
në malline tretur
fjalë të padëgjuara
m’i thuaj vëtëm mua
të dua, mos trego!
E në jam në ëndërr
apo qofsha zgjuar
thuaj që jeton për mua
gënjemë, po të duash
lozonjare, moj!
Çfarë fuqie shpirti
ke, dashuri
në ujëvara të rrjedhshme
burimesh të pashterura
nën tinguj shkumëvale
qiri ipashuar mbetesh Ti!
Shpresë në dhimbje
Zemrën ta lë pranë
sa herë që largohem
se shpirtin për ty
e kam që të jetoj
cipën e ngricës së bardhë
ngrirë në kujtesën tënde
lermë të ta shkrij
aq sa të përmendet!
Se zogjtë të vetmuar
dridhen nga të ftohtit
mbi trungjeprerë
s’mund të qëndrojnë
krahëhapura pemët
në folezë i presin
kur qielli perëndimin
nuk do ta pranojë.
Me grusht do i bie malit
le të hatërmbetet
kur më shikon përhumbur
pa ditur çfarë kërkon
gjithçka që ndiej
jeton brenda teje
në çdo qelizë timen
e jotja më dhemb…
Në flokëshkulur ulërima
le të shpërndahet
sa toka le të kriset
gjoksin qielli ta çajë
dhimbje, moj derëbardhë
më zure, ku më gjete
mos ngelsh plagë
shpresën e trembur ta mbaj!
Sa valë paska truri
në trysni ngjeshur
sa ëndrra shkojnë e vijnë
pa u mbajtur mend
por Ti je rrezedrite
kur shpërthen, s’përmbahesh
reflekset e zjarrit
me një shkëndijë i ndez!
Shtrëngoma dorën
Sa më pëlqejnë sytë e tu
kafe në t’kadifenjtë
pse ma fsheh i përmalluar
atë dritë që unë kërkoj
se në këtë humbëtirë të shkretë
unë ty vetëm nuk të lë
vallëzuar…valëzoj…
Shtrëngoma dorën
habitu me mua
pa shiko në maja pemësh
disa gjethe s’janë lëshuar
kanë qëndruar zemërake
me akacien e përdredhur
ngjitur kërcinj përkëdhelur.
Ej, ti perëndim dielli
luajte bukur sot me mua
gjysëmpemët i ndriçove
në zbardhje i llamburite
gjer mbi rrënjëi errësove
mos më çmend
për kokën tënde!
Me këtë inat të zënë
luaneshë do të bëhem
nga gjiri i lules dimërake
qumësht blete do pikojë
po frymoj në qenien time
njëherësh tokë e qiell
lutjen time ta dëgjojë…
As të vdekur
as të gjallë
në kët’ botë nuk të lë!
Në endje drite
Ti e di sa shumë të dua
rrezedielli tek ty thyhet
në shëndritjen marramendëse
nga mahnitja, pranë të strukem.
Ç’më shikon ashtu, more
sikur për herë të parë
buzët vishnje flakëruan
afrohu,të të them një fjalë!
Larg teje zogjtë heshtin
uji s’valëzon në lumë
as më lozet, as më qeshet
endërrimet mbeten në gjumë.
Ku u preke, a s’më thu?
fjalëmbla të mbeti në buzë
dehu gjysëm i pirë po duash
për të më thënë më shumë.
Sa çudi, në ëndje drite
ti shkëlqimin merr gjithkund
ç’na i more mendtë e shkreta
i lumi ti, e lumja unë!
Ushtar Kavaja
(Kushtuar dëshmorit Indrit Cara, nga
Kavaja, që ra për lirinë e Kosovës)
Indrit Cara, “ushtar Kavaja”
djali trim që s’e bën nëna
mori pushkën me luftue
në rrezik kufirin me kalue
me vllazninë me u rreshtue.
Prite, moj Kosovë trime
birin tënd të shqiptarisë
krahë për krahë
në lugina e shkrepa
në llogore tym e flakë
bijtë e shqipes nuk përmbahen
për Kosovën marrin hak.
Merreni vesh ju more shkij
kanë lidhë besën djemtë e shqipes
sypetrita, pa u frigue
mjaft të duruan
në votrat e tyre
pa liri të coptuem!
Hej barutit flaka t’i dalë
në këto troje arbërore
amaneti i të parëve tanë
shqiponjës së malit ia kanë dhanë
BASHKOHUNI
se për këtë tokë
e për këtë qiell
larë me gjak, çdo shkëmb ka ngelë.
Moj Kosovë, bijë Shqipërie
mbulove trimin me flamur
bozhuret kurorë dhëndërie
INDRIT, mes shumë yjesh
prehesh sot në tokën amë
për liri, gjakun ke dhanë.
Hapi krahët, zog i rrallë
Mos me të dash’
s’do marr dot frymë,
mos me të fol’
as dielli s’ka me dal’,
mos me t’pa’
qielli ka me qa!
Se një zog mali
si asnjëherë s’ka cicërue,
m’u duk se këndon për mue
zemrat tona me i lëshue,
n’ato korije me u ulë
për me t’than’,
sa fort të due!
Hapi krahët, ti zogu i rrallë
Pritmë, se po vij me mallë,
kam dy fjale për me t’i than’
kam një besë për me ta dhanë,
shpirtin në dorë me ta lanë!
Medet, kjo dynja e shkret’
e habitun ka për të mbet’,
mos u tut, s’kam me të diftue
askush nuk ka me e ditë,
magjishëm këtë dashni’
plot bukuri e mirësi
një jetë e kam pritë!!
Gonxhe e këputur
Mos rri kokëulur
as e madhe, as e mitur
je gonxhe e këputur
akoma e parritur.
Një rrahje në zemër
shpirtin ta goditi
mes gjëmbaçësh të fshehur
në dritën e zbehur.
Mos rri e hutuar
me trembjen e zmadhuar
fatit pika që s’i bie
në dënesa lotuar.
Mos qaj e pafajshme
me ëndrrat në fustan qëndisur
mos dëgjo se ç’thonë bota
një lukuni e krisur.
Rrezato shëmbëllimin
ti nuk je vetëm
ka plot si ti të tjera
të zhgënjyera, të çjerra.
Në rreze përthithjeje
dimri do shndrijë
e qeshura jote nesër
dëborën do ta shkrijë…
Relikt i shenjtë
Lëshoje tingullin, moj çifteli
që i bën zogjtë e natës
të këndojnë nëpër qiellin blu
në më të thellën blu!
Zgjimin e shpirtit në parajsë
në melodinë e lenë përgjysmë
brenda teje.
Oh, mallëngjimi po lahet
me hënën
para diellit
në të perënduar.
Tingull i largët
si një kalorës në trokun e kohës
kurorëzove mallin
mbret të mungesës.
Qarë me lot
kënduar me lot.
Fshehurazi burrëria u lëshua
në krahët e notat e reliktit.
Shpirt në trup
tingull prej shpirti.
I këndove shtojzavalleve
nëpër burime
e akoma etje ke.
Për një lumturi që s’flë
në një dhimbje që s’tretet.
Lëshoje tingullin
mall e këngë
moj çifteli!
Natë, moj!
Natë, moj e mira natë
qëndisma trupin me yjet e parë
të rrezatoj në dhimbjembyllura
të pagulçuara, të padala!
A t’ia themi njëherë shtruar
me qetësinë tënde mbështillmë
mbamë ngrohtë të rrëfehem
zëri i shpirtit të më vijë.
Dhe në shkretëtirë mbetsha
këmbëzbathur rërë e nxehtë
të më djegë e përvëlojë
dhimbshëm do të zgjojë.
Sikur këmbët mos më mbajnë
apo të më merren mendtë
symbyllurazi të dyja
një oaz do ta gjejmë.
Dridhu, moj trembja ime
fshihu ku të duash ti
me ajrin jemi në paqe
nate, djep i ëmbël fli!
Sythe në shpërthim
Në mbledhsha yjet në prehër
mjegullën ylber ta harkoj
shkundu, përgjigje e vonë
po..jo…ndryshojmë gjë?
Të zënça me gurë
dyzim që më lodh
në tëmthat që rrahin fort
si t’i them heshtjes “pusho?!”
Desha një fjalë
që akullnajat t’i shkrijë
më the “je shumë e mirë!”
vetëm aq…sa çud!
Ti kështu s’më ke mësuar
në dy shpirtëra trupat të rrinë
qenka çfarë na qenka
zemër e butënë zemërngrirë…
Thuamë, kë të fshij më parë
lotin tënd a lotin tim
dënesë, të rëntë pika
largomu ti me të mirë!
Shihe pemën luleçelur
s’është as dimër, as pranverë
u bëfsh njëherë siç ke qenë
sythet të gjitha do shpërthejnë!
Dua të rend
Dua të rend
pa e kthyer kokën prapa
e sapozgjuar
shpresa sytë të m’i lajë
lotin qerpikut të ma thajë…
Sa e vogël, aq e madhe
bota ime
plaga ime
nazemadhe…
Mbledhur një dorë
dridhem si zogu i sapodalë
e hutuar nga një rrezedrite
e shpërthyer, e papare.
Pafsh me sytë e diellit
qielli ngjyrën ma ka falur
hej…hej…krahë engjëjsh
përtej horizontit qenkan çfaqur!!
Ndalu…ndalu…ku shkon…
qiell e tokë a i bashkon?
moj e marrë, moj e mirë
mbi plagë, gjeje lumturinë!
Largomu, hije e vdekjes!
Pse ta fsheh,
puthja në pasionin tënd
nuk më ka shijuar…
më tërhoqe me lakmi
për të më prerë e gjunjëzuar.
As në buzë s’dije të puthje
nëpër trup po rrëshqisje
ndjeva sikur më përthithje
pranoje,që ishte jotja lajthitje!
Në lemëza vakët fërgëlloja
Vallë, ç’kërkoje nga unë?!
ç’ligjërime do dëgjoje
jetëprerë të më lëndoje?
Të tregova e turpëruar
të dy gjinjtë që do pikonin
për dy princa frelëshuar
duam Nënën…të kërkonin!
Ik, ik…merrmë, frikë!
vetëstolisurat shndrijnë
çmim i jetës…JETË
një kurorë në mbretëri.
Një jetë
Shpirtin në duar t’kam lënë
vetja po më dhimbset
thua ëmbël që jam bërë
me një zemër më shumë
nga ngazëllimi, aroma dehu lulet
pranvera si e çmendur
po vjen tek unë.
Do ta degdis mundimin
e marrtë lumi, e marrtë!
në një emër të vetëm
fatin e shkruar e gjetëm
të përbetuar thamë
përjetë do të mbetemi…
Sa thellë qenka shpirti
nuk meket, mos u tremb
në përplasje rrymash ajri
në mes dunash, në furtunë
kur thua që më ndjen
më shumë të dua unë.
Hapma portën, Kosovë!
Kalëruar vargu im
në galop urtuar
në Kosovëpo e ndal vrapin
me mall në zemër trazuar.
Me aromë Adriatiku mbështjellë
me gjurmë rëre të lagur
degë ullinjsh të gjelbëruar
nga Shën e Premtja bekuar.
Hapma portën, Kosovë
vij me mallin për varret
me trëndafila të kuq në duar
në përshpirtje për Indritin
e gjithë trimat në liri betuar!
Ngrema vellon, jepma besën
jam një bijë Shqiptarie
gjer në palcën e ashtit
kam qarë për ty
dua të jetoj me ty!
Jepma një copë fuli gatuar
në çerep mbuluar
nga grurë në lëmë rrahur
e bukë të ëmbël ëmbëlsuar!
Le t’i bashkojmë lotët
në këngë dasme gëzuar
në tinguj çiftelie e klarinete
në të njëjtën melodi
qarë e kënduar!
Lule mali e lule fushe
ndër fustane nusesh të derdhen
mbi vello të çelen
në peng malli mos ngelen.
Me hijeshinë tënde
hapma portën
të jap shpirtin, Kosovë!
Sonte në dritë hëne
Si arrite që zemrës
t’i japësh dritë hëne
e shpirtin ta qëndisësh
në formën e një ylli?
Më thuaj, si!?
Nën tingujt e një pianoje lëkundesha
nuk munda të vallzoja
vesëkëputuri lot
më solli aromën tënde.
Buzët në gjumë nate
u puthën në dhimbjen e largësisë.
Sa shumë qeshje
sa shumë ngjyra vezullonin
aq sa ëndrra e dëshira u bënë valë
e unë kërkoj hijen tënde në refleksin tim.
Si arrite, si?!
Të më përmallesh përsëri
në atë vallëzim
e unë lëkundem…lëkundem
me pëshpërimën rrëmbyer
në një gotë vere të bardhë.
S’e di a qa
a qesh
ky shpirti im?
Mos e përsërit më,të lutem!
Se ti s’e di ç’ndodh brenda meje
një shpirt i lëshuar
një zemër e lënduar
e kapur në fluturim…
Si arrite…më thuaj, si?
Në refleksin e hijeve tona
forma e një zemre
brenda një shpirti
përjetësinë kërkoi.
Sonte në dritë hëne…
Eja Pranverë!
Ninullë vargjeëmbël…
përkunde dimrin
derisa gjumi i thellë
në qerpikërënduar
ta zerë!
Në xukatje bletësh
zgjoje pranverën
në buzëputhje mjaltë me diellin
fjongon e kaltër
qielli do ia verë!
Rrezengjyrat
mbi copëra diamantesh
do të thyhen
në melodinë e një flauti.
Rrezevalë
do lodrojne në mollëzat e gishtërinjve
në nota të hareshme.
Aq sa pulëbardhat
Gushëkuqët, pëllumbat
do rrotullohen të habitur
me pendët e tyre
shkëlqim e dritë.
Ooo, poshtë fierëve
gjethendarë
plot lulegonxhe
luleshtrydhesh
fshehurazi kuqëlojnë!
Në lëndinë lulekëmbore
luledele
lulekamomili
mes flladit të lehtë
zbardhëllojnë.
Nëpër kroje e larë
në shkumëbardha ujëvare
eja, Pranverë
vajzë vale!
Njëëndërr në fluturim
Ulërimë vargjesh
përgjigju honeve
në kumbime të panjohura
si ngadalësia e zvarritjes
në goditje lëkundëse
të një lavjerrësijashtë kohe
jashtë imagjinate
jashtë orbite
në dridhje gjymtyrësh
për të qëndruar!
Të marrtë e mira, të marrtë!
Hiqmu!
do të kacafytem me ty
po ndenje si dënesë
e lumturisë së dikurshme!
Kam forcën e tërheqjes.
Çfarë, kujton se po tallem?
Dy krahë mjaftojnë
për të fluturuar
atje në hapësirën blu
ku ëndrra vazhdon
përtej shndritjes
në një galaksi yjesh
me emrin Shpresë.
Se pastaj…
Në cilën shtëllungë reje
të fshihem…
që mos të shohësh lotët e mi…
s’dua ta bëj qiellin të qajë!
Në cilin pështjellim mjegulle
të vrapoj e lagur
të shtrydhem
e mos të di
a është ngrohtë
apo mërdhij?
U mbledhshin petalet
e trëndafilave në gonxhe
u bëftë e freskët…
buqeta e Lumturisë!
Zemërimi i Poetes
Në mijëra cifla të panumërta
do ta thyej pasqyrën
në qeshjen tënde
ngërdheshje!
Ç’të bëri shpirti
që e plagose?
Në lotin e një engjëlli
rëndoi fjala
pa peshë
e hidhur
si këpurdhat helmuese
të zverdhura
të lagura
pas shiut.
Sa e mblodhi
renëe dendur
ah, e grisi
në gri të errët
në më të zezën gri…
Aty mbetsh
në errësirën e mjergullt
pa dritë!
U turbullofsh
në labirinthe tuneli
në kërrusjen tënde gungaçe!
S’të njoh
s’të kam parë
përse t’i zë sytë shkëlqimi
mos më dalsh përpara!
Mbetsh i paburrëruar
para Fisnikëve të lindur!
Unë di fjalëmblën
shpresëdrite
di gjuhën e shpirtit
gjuhëqiellin
fluturoj mbi re te bardha
në një kalë të bardhë
me një vello qëndisur
sa lule, lulebardha!
Për të fshirë
atë lot pa faj
të një Engjëlli
paqe…plot paqe
në fluturim!
Qielli ynë
E desha për vete
qiellin sonte…
në ngjyrën rozë të lehtë
perëndimi është larë
pesëmbëdhjetë
hëna e plotë
nën velin e saj
s’ka pse të qajë!
Se paska ky shpirt
aq shumë dashuri
se paska kjo zemër
aq shumë mall
se dua të shpërthej
në sythin e parë
më thuaj, pranverë
a kam faj?
Në refrenin e zogjve
dua të këndojmë
çelësin e muzikës
shpirtit ia kam vënë
në jetë të gjitha brenda janë
pse duhet të pikëllohemi
kur mund të gëzojmë?!
Sa shumë muzikë
në ritëm të gjallë
çdo sekondë bukuri e jetës fton
e desha për ne qiellin sonte
jam krejt e jotja…
të dy jemi të sajë!
Më fal!
Më fal, i shtrenjti im
s’i kemi thënë të gjitha
as dhënë të gjitha
sepsenjë Universs’është shumë.
për një fuqi dashurie
që s’ka fund…
Më fal,i shtrenjti im
që të dua kaq shumë
vec për vete
a është mirë
ta lësh shpirtin në dorë
sa të dhimbset vetja?
Më fal,ishtrenjti im
që s’di të dashuroj ndryshe
përse m’i mblodhe ëndrrat
të flenë me ty?
Kam frikëse ndjenja,
thellë-thellëbrenda qenies sime
me cicërimën e zogjve
në pranverën e harlisur
krijojnë një melodi
e zgjojnë një Yll
ashtu si nëpër ëndrra.
Më fal…i shtrenjti im!
Simfoni pëllumbash
Në një simfoni pëllumbash
përqafohemi, sa mall…
qajmë e qeshim
siç dimë vetëm ne të dy.
Qielli merr flakë
një det s’e shuan dot.
Mos po kërkoj shumë
që zemra të mos ndahet
e loti të mos thahet?
Qetësohu!
Në kaltërsi qiellore
në rrotullim pëllumbash
vetëm paqe mund të ketë.
Bukur nuk është?
Me dy duar në lutje
në tokë plot luleçelura
me ujë të bekuar
a s’jemi larë?
Me hapje krahësh
në rrahje zemrash
ngjyrat e një degëluleje ndizen
në çelje tulipanësh
diçka tingëllon ndryshe.
Kujtohu,i dashur
si është e mundur
në nota muzike
zemra qesh e qan?
Gëzohu!
Në një simfoni pëllumbash
vetëm paqe mund të ketë.
Në do ta dish…
E hodha mendimin gërshetëlidhur
në gjysmëpemën e prerë
me akacien e spërdredhur
pranë një lumi
që rridhte deri aty.
Në ujin e njelmët
reflektonin degëprerat
në ngjyrë kafe të zbehur
nga zallahia e kohës.
Mos shterofsh
rrjedhë e pashtershme!
Mund të marrësh guralecë
në rrokullisje të zhurmshme
me shpejtësinë tënde
por jo në gërryerje
të cekta, të thella.
Nuk e dua të marrin
formën e një ujku
në goditjen e parë
mund të rrëzohem…
Më ngre, moj rrezengrohtë
prej dielli
vrapojmë të dyja këmbëzbathura
në drejtim të rrjedhës së shkumëzuar
lidhma në flokëverdhat
fjongon rozë!
Afrohem pranë teje
në do ta dish!
Merre me të qarë!
Merre me të qarë, moj klarinetë
peng kam mbetur
në mërgimin e shkretë
në mall pa tretur.
Në lutje e sapozgjuar
Kandilndezuri në vaj
largmbetura jetuar
hesht, dënesë, mos qaj!
Pse ky fat i shkruar
për një tokë të bekuar
plot diell e plot dritë
sytë m’u verbuan
nëpër re lodruar
me shpresë për një ditë…
Tërhiqmë, klarinetë
në një valle myzeqare
shamitundur-o
me djelmërinë e parë
vajzat lozonjare
belkëputurat-o!
Ç’më ka marrë malli
në raki dëllinje
një dolli të ngremë
pa nuk bëhet nami
se dikush po dehet!
Bjer, moj klarinetë.
Aq male kaptuar
do të t’gjej, dollibash
me pranverën e tejlulëzuar
uromë:
Mirëardhsh!
PËRMBAJTJA:
Mos shterofsh rrjedhë e pashtershme! 17
Shtypi
LENA GRAPHIC DESIGN
Rr.Rrustem Statovci Nr.28
Prishtinë 10000, Republika e Kosovës
Mob: 044 418 876 & 044 155 696
E-mail: lenagraphics@gmail.com
Katalogimi në botim – (CIP)
Biblioteka Kombëtare e Kosovës “Pjetër Bogdani”
821.18-1 Popi, Zoica Gjolla Vals i dashurisë : (poezi) / Zoica Gjolla Popi. – Prishtinë : Lena, 2019. – 98 f. ; 21 cm. ISBN 978-9951-27-036-6 |