November 23, 2024

Intervistë me shkrimtaren Zoica Gjolla Popi, me origjinë nga Kavaja (Shqipëri), e cila jeton dhe vepron në Londër – Angli

Intervistë me shkrimtaren Zoica Gjolla Popi, me origjinë nga Kavaja (Shqipëri), e cila jeton dhe vepron në Londër – Angli

NË KRIJIMTARI LETRARE TEPËR MË TËRHEQ SHUMË PJESA E BUKUR E BOTËS SË MADHE SHPIRTËRORE

INTERVISTOI: Mikel GOJANI

Ishte një ndjenjë e bukur të bashkëbisedosh me shkrimtaren e mirënjohur, Zoica Popi Gjolla, e cila vjen me origjinë nga Kavaja e bukur dhe bregdetare e Shqipërisë. Temat bosht të cilave iu qasem pe shkrimtaren Gjolla Popi kishin të bëjnë rreth profilit jetësore dhe veprimtarisë letrare të saj; fillet e krijimtarisë së saj letrare; rreth librit të fundit, “Magjia e simfonisë”; mesazhet që përçon lexuesve përmes këtij vëllimi poetik; cilat nga këto dy zhanre të letërsisë i preferon më tepër, poezinë apo prozën; cilat janë disa nga temat dhe motivet që ju kanë preokupuar në këto zhanre të letërsisë; sa ka ndikuar jeta e një emigranteje në frymëzimet e saja, çfarë mendon për letërsinë mbarëshqiptare; cilët janë disa nga shkrimtarët dhe poetët më të preferuar të letërsisë shqipe;çfarë mendon për integrimin e librit shqip në vend dhe jashtë; bamirësia si vlerë që dominon në jetën e saj letrare; cilat janë disa nga çmimet dhe mirënjohjet që i janë ndarë nga institucione dhe asociacione vendëse dhe ndërkombëtare; cilat janë disa nga prioritetet e saja për të ardhmen etj.

● Krijuesja Gjolla Popi, fillimisht të bisedës sonë e vlerësojmë me interes që për lexuesit të na jepni një prezantim të profilit tuaj jetësor e letrar.

ZOICA GJOLLA POPI: Kam lindur në qytetin e Kavajës. Ishim 7 fëmijë bashkë me gjyshin Kostandinin që e donim shumë. Prindërit tanë ishin shumë punëtorë nga natyra duke na siguruar një jetë normale.
Gjithkujt vendlindja i duket vendi më i bukur në botë. Por Kavaja ime ishte vërtetë mahnitëse. Qysh fëmijë përveç lojërave me moshataret mua më tërhiqte bukuria e natyrës! Flladi i lehtë bregdetar drithëronte gjethet e pemëve ne kopshtin e shtëpisë. Në rrugicë më tërhiqnin plepat e gjatë me lëvoren e kërcellit gri të hapët e finesa e gjetheve te tij . Kodrat e gjelbëruara në kishën e Shënapremtes rrethuar me ullinj…. Kur ngjiteshim atje vështroja e mahnitur diellin që si lëmsh i zjarrtë dëshironte te zhytej në det! Grat e vajzat kavajase ishin nikoqire e kur kaloje nëpër rrugë kundërmonte aroma e trëndafilave, karafilave, jesheboje e pansete, që janë lulet më te preferuara të miat. Ora e Vjetër, e rrallë e shume e lartë në qendër të qytetit kishte për karshi minaren e xhamisë. Të gjitha këto ishin fotografuar ne sytë e mi e mbesin e sot të gjalla në kujtimet e mia. Isha një nxënëse e zellshme por se urtë dhe shumë e dashur.

Më kujtohet redaktori i gazetës “Metalurgu”, prof. Fuat Bozgo, kur dorëzova një reportazh pasi i hodhi një sy më pa më me interesin e një shkrimtari e më tha: “Zoica, ti i lëvron të dyja gjinitë poezinë e prozën, a e di që je shumë e talentuar? Mos pusho së shkruari!”

● Cilat janë fillet e krijimtarisë suaj, pra kur keni filluar të shkruani dhe me cilat zhanre keni filluar rrugëtimin tuaj shumë të lumtur por tepër të vështirë të krijimtarisë letrare ?
ZOICA GJOLLA POPI: Me shkrime jam marrë qysh në moshë shumë të re, ndërsa isha nxënëse e fillores. Në hartime nuk dija t’i krijoja shkurt…. ose me detyrat e shtëpisë për një temë mbushja një fletore….. gabimet ortografike i kisha shume kujdes. Prindërit gjithmonë ankoheshin se s’ma dilnin dot me blerjen e fletoreve. Vjershën e parë e kam shkruar kur isha 12 vjeç në revistën “Pionieri”! Pastaj pasuan konkurset letrare e fitoja e çmime.
Pata fat ne gjimnazin sot ”Aleksandër Moisiu”, ku mësuesit e spikatën talentin tim e më inkurajonin në poezi e prozë.
Në moshën 21 vjeçare martohem në Elbasan me të riun, Agimin Gjolla, që ishte mendjendritur për moshën qe kishte, duar e shpirtin flori! Një mik i ngushte i librit, i rregullt në leximet që për çdo libër mbante shënimet me një kalografi që e kisha zili pasi unë nuk kam ndonjë shkrim të veçantë e mosrregullsi në shkrime më ka kushtuar kohë.
Elbasani ishte qytet i lashtë e shumë i bukur. Djep i dijes! Romantizmi më tërhiqte në rrethinat e kalasë, në gjuajtjen e pëllumbave e kumrijave….bredhat dhe pishat krahëndera me një gjelbërim të përhershëm! Dritat nen to natën te rrumbullakosura poshtë neoneve e dy çezmat në portën e kalasë që gurgullonin pa pushim! Të dy me Agimin shkruanim poezi e i botonim tek gazeta “Metalurgu”.
Më pas pëlqeja të shkruaja reportazhe. Më kujtohet redaktori i kësaj gazete prof. Fuat Bozgo, kur dorëzova një reportazh pasi i hodhi një sy më pa më me interesin e një shkrimtari e më tha:
“Zoica, ti i lëvron të dyja gjinitë poezinë e prozën, a e di që je shumë e talentuar? Mos pusho së shkruari!”
Në muzg kur dilnim në shëtitje me dy djemtë mua më dehte aroma e blirëve , që krijonin një shtrojë me mozaikun e më të verdhën e ndezur.
Elbasani e përjetoi me dhimbje ndryshimin e sistemit me prishjen e shkollave duke zgjuar ëndrrën e adoleshentëve për te jetuar jashtë! Të detyruar nga këmbëngulja e djemve që ishin 16 vjeç , moshë në të cilën kundërshtimi bëhej kokëfortë vendosëm të largoheshim në emigracion.
Jetuam në Greqi, Itali, përsëri Greqi e që andej kemi pesë vite që jetojmë në Angli.

Poezitë e vëllimit “Magjia e simfonisë”, kanë një stil në mënyrën e përcjelljes ndjesore, në este- artistike.

● Libri juaj i fundit që keni botuar mban titullin mjaft metaforik, “Magjia e simfonisë”, çfarë mund të shtoni rreth këtij libri ?
ZOICA GJOLLA POPI: Libri “ Magjia e simfonisë” është vazhdim i njëqind poezive të librit “ Melodi të pakënduara “ me redaktimin e autores Nexhi Hasani që gjej rastin ta falënderoj.
Kanë një stil në mënyrën e përcjelljes ndjesore, në esteto- artistike. Janë shkruar në një sfidë të shëndetit tim e në izolimin e pandemisë. Është për tu çuditur që përjetimi i kësaj tragjedie mbarëbotërore ndryshoi fatin, mënyrën e jetesës e sigurisht do ndikonte edhe në shpërthimet poetike. Profesor, e dini çfarë më ka bërë përshtypje në këtë libër të dhimbshëm për mua?
Mua që më pëlqen të shprehem në romantizëm lirik…. erotik…. por në kushte izolimi sikur çelësi i ndjenjave anoi në hapjen e arsyetimit, logjikës, grintës poetike në shpërthime të tilla jashtë natyrës time. Por përsëri dola tek vetja pasi këto shtysa më bënë të ëndërroja për një shpresë në një te ardhme më të mirë. Vetë titulli “Magjia e simfonisë” tregon për ngjyrat e dashurinë për jetën,bukurinë e natyrës në një tërheqje më të magjishme,që aq shumë na kishte munguar.

●Kritika letrare këtë vëllim poetik e ka vlerësuar një perlë përrallë që kaq mrekullisht shpërfaq në mesazhin mjaft domethënës, që thyen kufijtë e kohës e hapësirës, duke marrë ngjyrën universale gjithënjerëzore. Margaritar letrare poetik… Çfarë mund të shtoni rreth këtij vlerësimi?

Zoica GJOLLA POPI: Të them të drejtën mua më mungon vlerësimi për veten. Këto fjalë të te një mëndje dhe pende të Artë siç është prof. Zakaria më emocionojnë shumë! Fakti që ai është krijues, ekspert në kritikën letrare më krijon një besim për rrugën e mbarë në poezinë time, çmimi i punës së një krijuese amatore duke e spikatur në talentin e saj. Unë i dua shumë poetët e shkrimtarët, më pëlqejnë krijimet me shpirtin poetik, gjithmonë më duken shumë më të talentuar se unë. Vlerësimi i tij më bën të bëhem më e arrirë duke shtuar përgjegjësinë krijuese.

●Çfarë mesazhi keni dashur të përcillni përmes tij?

ZOICA GJOLLA POPI: Mesazhi që kam dashur të përcjell e po pati shkuar direkt tek lexuesi im do jetë një kënaqësi për mua!
Jeta është e çmuar, në çdo rrethanë të mbijetojmë, me paqe e dashuri njerëzore për të gjetur motive të rëndësishme të qëllimit të saj në marrëdhëniet njerëzore por e kënaqësinë me ngjyrat e saj me virgjërinë e mahnitjen e natyrës që aq shumë na ka munguar.

Dy gjinitë letrare, prozën as poezinë nuk mund t’i ndajë së krijuari

●Ju shkruani prozë po ashtu edhe poezi, cilat nga këto dy zhanre të letërsisë i preferoni më tepër, poezinë apo prozën?

ZOICA GJOLLA POPI: Si të gjithë shkrimtarët dhe poetët që i lëvrojnë të dyja këto gjini, nuk mund t’i ndaj njërën nga tjetrën. Poezia për mua është një shpërthim emocion të gjendjes shpirtërore kur ndihem e gëzuar ose e mërzitur dhe për mua është jo vetëm e dashur, por edhe e shtrenjtë, sepse këto emocione që mund të shoqërohen edhe me pikën e lotit edhe zakonisht kështu më ndodh momenti i frymëzimit dhe është një stoli e shpirtit për mua.
Kur ky emocion shpërthyes derdhët në vargjet e lira apo të rimuara përcillet direkt tek lexuesi dhe këtu ndiej kënaqësinë më të madhe që më jep poezia.
Kundrejt poezisë që shkruhet vetëm në këto momente frymëzimi më lehtë për mua, proza më jep më shumë lirinë në të shprehurit në çdo kohë. Proza është shumë më e lehtë për mua, sepse për vetë natyrën e ndjeshme romantike ndërthurur me bukurinë e karakterit të personazhit pozitiv të cilin e ndërtojmë me shumë dashuri, ndihem më lehtë për ta vazhduar.
Më ndodh ndonjëherë të frymëzohem nga nja ndonjë ngjarje, por gjatë rrugës së përshkrimit mund të më rrëmbejë fantazia. Aty hyn në lojë jo vetëm përshkrimi i imët i ambientit,i natyrës, por edhe përshtatje e këtyre romantizmi, që më bën t’i përshkruaj në imtësi gjerat në lidhje me ngjarjet. Me një fjalë si të thuash devijoj nga ideja që mund të kem pasur që në fillim, sepse edhe vetë tërhiqemi në një mënyrë magjike në dialogët që bëhet ndërmjet personazheve, po të vetë lajtmotivit të narracionit që është në procesin e zhvillimit të ngjarjes.
Proza është një zhanër që të ofron në një fushë më të gjerë të përdorimit të arsyes dhe të ndjenjave. Vetë imagjinata luan bukur duke vënë në kurth dramacitetin e ngjarjes; Kjo më bën që të dal lirshëm nga drama e krijuar duke e tërhequr edhe lexuesin.
Më vjen keq që nuk jam për tregimin e shkurtër, që më duket që e përdori mjeshtër të shumtë të ksaj gjinie letrare. Pra, ndihem shumë mirë në formën e prozës së gjatë.

●Cilat janë disa nga temat dhe motivet që ju kanë preokupuar në këto zhanre të letërsisë?

ZOICA GJOLLA POPI: Si çdo shkrimtar dhe poetë që është i lidhur me çështjet sociale, politike, kombëtare etj., duke përjetuar edhe vetë problemet e mprehta që preokupojnë shoqërinë bëhen shkas në krijim duke drejtuar pendën në këto kahe, përkatësisht gjurmë shpirtërore që preokupojnë botë që në rrethon; botën ku vetë poeti jeton. Për analogji motivet vijnë natyrshëm me bazë reale për të dhënë mesazhe me vlerë.

● Në shumë tregime tuaja sikur ktheheni në reminishencën e hershme, shpalosni vitet e hershme të jetës suaj, të familjes, jetën në shkollë, uzinë…

ZOICA GJOLLA POPI: Mua Më pëlqejnë ngjarjet nga e kaluara e hershme dhe sikurse shpirtërisht jam e lidhur me ato vitet së kaluarës sime.
Qysh e vogël kam qenë një dëgjuese shumë e mirë e përrallave, e legjendave, e baladave a tregoheshin në biseda familjare. Këto më linin shumë gjurmë me kuriozitetin e traditave, zakoneve, marrjes pjesë e njerëzve të mi të dashur me përjetimet e historisë së vërtetë të jetës së tyre. Dhe gjithë ato përjetime që kanë lënë gjurmë kujtese në memorien time, i kam shpalosur në krijimtarinë time, si në poezi po ashtu edhe në prozë.
Duke rritur kërkesat kundrejt vetes kam gjykuar ngjarje të përjetuara në mënyrë si të fitohet e drejta në kontradiktë me ta padrejtën; si të shfaqet e bukura, në kontradiktë me të shëmtuarën… Dhe në mes të këtyre antagonizmave të marrin pjesë personazhet e vërteta jetësore; me shpresën që edhe lexuesi do ta gjejë veten në këto ngjarje.

● Në vitin 2019 keni botuar librin me tregime “Mrekullia e një nate”, çfarë temash dhe motivesh ngërthen ky libër me një titull tepër të bukur dhe aq metaforik?
ZOICA GJOLLA POPI: Mua më pëlqejnë shumë motivet me probleme shoqërore, familjare, duke u nisur gjithmonë mbi bazën e një ngjarje të vërtetë. Kur ke shumë miq të mirë dhe jep dashuri, mirëkuptim, të vjen mirë edhe kur i merr ato. Por jo gjithmonë dot kështu. Duke filluar në familje që është baza, duke dalë në një sfond më të gjerë.
Po ta vini re, në tregimet e këtij libri, ka shumë lojë ndjenjash, lojë personazhesh, si ndodh zakonisht brenda një shoqërie.
Mua më tërheq shumë pjesa e bukur e botës së madhe shpirtërore tek njerëzit. Por brenda kësaj bote edhe vetë vetvetja është në kontradiktë në vete. Ndonjëherë kur rrëmbehesh nga dashuria edhe çiltërsia, në tërheqjen e pjesës pozitive ndodhin gjera ta çuditshme. Megjithëse si natyrë, ku edhe vetë karakterizim merr pjesë në këto tregime, duke u tërhequr nga ndjenjat e personazheve pozitiv në fjalë, kur ndodh diçka e papritur sikur prishet ekuilibri i ndjenjës dhe i arsyes. Dhe në prishjen e këtij ekuilibri pena duhet të tërhiqet në drejtimin e logjikës dhe të arsyes. Vetëm atëherë me marrjen e vendimit lexuesi përballet me një karakter të fortë që edhe pse duhet jetuar me dhimbje të bëhet zgjedhja e duhur. Në mënyrë që lexuesi ta gjejë veten, ta përjetojë personazhin sikur i ndodh atij dhe të dakordohet me e duhurën. Jo gjithçka është e pamundur.

Jeta ime si emigrante ka ndikuar më shumë tek poezia

● Ju keni bërë një jetë tejet interesante të një emigranteje të hershme; duke filluar emigrimin në Greqi, pastaj në Itali dhe së fundmi në Angli. Sa ka ndikuar kjo jetë në krijimtarinë tuaj letrare me gjithë ato krajatet e një të huaje ne këto vende të panjohura, pa njohur jetën, gjuhën, traditën …
ZOICA GJOLLA POPI: Jeta ime si emigrante ka ndikuar më shumë tek poezia. Do thuash ti profesor Mikel, përse? Siç jeni edhe ju një mjeshtër i poezisë, qysh në fillim kur largohesh nga atdheu yt, të del nga shpirti një pasthirrmë, oh ose ah, që mund të jetë kodimi i fjalëve, oh, oh!- çfarë bëra, ah, sa më ka marrë mall! Ku mund t’i shprehesh këto më përjetuese sa në poezi? Imagjino veten në një udhëkryq që nuk të kupton kush, sepse je gjendur në pozita memece! Nuk të dëgjon kush sepse je i shurdhër që nuk e kupton çfarë të thonë. Të fillosh të panjohurën me një shpresë kur nuk e di se çfarë të pret. Si mund të ndjehesh Profesor kur fjalët e gjuhës së nënës të ngecin në fyt dhe kapërdihen bashkë me lotët që vetëm shtrëngon dhëmbët dhe duart me një shpirt rebel që është i detyruar të hesht.
Sigurisht i gjykon arsyet e problemeve dhe shoqërore që të shtyn aty. Dhe me këtë brengë duhet të vazhdosh rrugën e vuajtjes pa kthyer kokën ditë – netët që kalojnë për të vazhduar po mbi gjurmët e saj drejt dritës së shpresës. Por profesor Mikel si ekspert i gjuhës letrare shqipe ju e dini mira se gjuha e një kombi është e gjalle dhe si gjallesë ajo rritet, zhvillohet, bashkë me huazimet. Kështu ndodh edhe me emigrantin pa dashur ai ndrysho brenda vetes pasi duket se është i martuar në heshtje, me përballjen integrimin pa pasur mbrojtjen e shtetit të vet që të ndjehet më i sigurt. Por, siç e dini ose siç mund të shprehemi, një shpirt rebel i heshtur nën presionin e një energjie për t’u përballuar, sikur i zmadhohen shqisat. Por kjo ka të mirën e vet, se bëhet përthithja e një kulture të re e një shoqërie me tradita dhe zakone të tjera që zhvillon vetë kulturën dhe i jep një kuptim tjetër punës duke bërë heterogjene dhe duke plotësuar më mirë mirëqenien dhe zhvillimin e dijeve të tij. Është e vërtetë që të marrësh rrugën e një emigracioni është e vështirë, por në tre emigracionet e lia dhe të familjes sime ka qenë akoma më e vështirë. Po, si do t’i mësonim tri gjuhë të huaja të detyruara?! Duke u tërhequr nga kureshtja romantizmi, dashuria për njerëzit, për bukurinë e të jetuarit, ka ndikuar shumë në krijimtarinë time. Lexuesi im ndërmjet librave di ta kuptojë, nga përshkrimi i natyrës, nga emrat e personazheve në tregimet e mia, se në cilin vend janë shkruar. Pranë Deti Egje në Greqi, në Italinë me arkitekturën e lashtë apo në Anglinë e një fuqie ekonomike dhe bukure pyjesh të virgjëra. Dhe ngado kemi shkuar dheun e atdheut kemi marrë me vete dhe shpirtin gjithherë e dërgojmë tek të parët tanë.

Letërsia aktuale në Shqipëri ecën krahas letërsisë bashkëkohore që krijohet në vendet e Europës
● Çfarë mendoni për letërsinë që krijohet sot në Shqipëri?

ZOICA GJOLLA POPI: Megjithëse neve si emigrante na ndjehet mungesa e librit që botohet në kohën e sotme, prapë se prapë nëpërmjet interesimit të shtypit të ditës, informacioneve nëpërmjet radiove, televizioneve rrjetit social për libra dhe autor të rinj, formohet një ide që letërsia shqipe është në zhvillim. Nëpërmjet eventeve letrare, për promovimet e librave, përmes panaireve paraqitet jo vetëm prodhueshmëria marramendëse, por edhe vlerat dhe cilësia e veprave letrare. Por, problem, siç më duket mua në varësi të cilësisë është kritika letrare. Kemi kritika letrar të një niveli akademik, por duhet rritur kërkesa edhe e kritikëve të tjerë, sidomos edhe për autorët amatorë, të jenë bashkëkohës, por ta ruajnë linjën klasike të krijimit. Kështu mendoj që letërsia aktuale në Shqipëri ecën krahas letërsisë bashkëkohore që krijohet në vendet e Europës.
Integrimi i librit është domosdoshmëri e kohës

● Çfarë mund të shtoni rreth integrimit të librit shqip Shqipëri dhe jashtë saj?
ZOICA POPI GJOLLA: Mendoj që përpara se të dalim në integrimin e librit nëpër botë duhet të zgjidhet ai ngërç që nuk mund të bjerë lehtë në dorën e lexuesit brenda vendit. Sigurisht ka përpjekje, siç e thamë edhe më lart, por duhet bërë më shumë. Do thoni ju nga kush? Nga autori, lexuesi,redaktori apo shtëpia botuese? Mendoj, të gjithë ju që jeni ekspertë të fushës së letërsisë, nëpërmjet informacioneve që dispononi të ngrini zërin për një sistem kombëtar gjithëpërshirës të drejtuar nga institucionet shtetërore. Kjo do krijojë edhe mundësinë e njohjes së letërsisë shqiptare edhe jashtë kufijve të vendit tonë. T’u krijohet mundësia autorëve nga shteti që t’i prezantojnë veprat e tyre atje ku ftohet për të ndarë eksperiencat bashkëkohore të krijimit letrar.

Më pëlqen stili i të shkruarit të shkrimtarëve të Kosovës, mesazhi i qartë që përcjellë dhe ruajtja e traditës kombëtare
● Sa e njihni letërsinë që botohet në Kosovë dhe çfarë përshtypjesh keni për këtë letërsi?
ZOICA GJOLLA POPI: Si është Kosova një pikë shumë e dobët e imja, ashtu është edhe interesimi im për letërsinë në Kosovë. Më pëlqen stili i të shkruarit, mesazhi i qartë që përcjellë dhe ruajtja e traditës kombëtare. Jam befasuar me guximin duke u bërë heronj të heshtur me kushte mbijetese ta zhvillojnë pa reshtur duke mbajtur libër edhe pushkë në dorë. Mendoj që këtë jënë shkrimtarët dhe poetët kosovarë. Janë krenaria e elitës të letërsisë shqiptare.
Më vjen keq që edhe atje është një sistem i dobët në integrimin dhe shpërndarjen e librit. A t’ju bëj një pyetje edhe ju profesor meqë jeni shkrimtarë nga Kosova: sa vepra keni shkruar? Si keni ndjerë nga kritika? Sa është shpërndarë jehona e veprave tuaja, brenda dhe jashtë vendit? Dhe, çfarë lidhjesh institucionale keni me shtëpitë botuese dhe libraritë? Pa një përsosje të këtyre elementeve bazë mundet krijimtaria ta përcjellë mesazhin në sa më shumë lexues.
Mendoj që letërsia në Kosovë sikur vetëm historitë e jetë së vetë poetëve dhe shkrimtarëve-për të shkruar të vërtetat e atij gjenocidi do ishin krijuar kryevepra botërore, sepse nuk i mungon talenti, por mbështetja që duhet të japi shteti autorit në sigurinë e veprës së tij. Kam edhe diçka tjetër për letërsinë në Kosovë në përgatitjen e akademikëve gjuhësorë për t’u njësuar me gjuhën letrare bashkëkohore me standardet e vendosura në Kongresin e Drejtshkrimit në vitin 1972. Nganjëherë vihet re nga autorë dhe poetë të rinj që flasin dialektin e gegërishtes.
Gjuha jonë amtare është shumë e pasur, folklori është një thesar i saj, por vej re aq në letërsinë e autorëve kosovarë ka nja prirje drejt dialektit, që sigurisht është i bukur, i shumëllojshëm sipas trevave, por shpeshherë sikur cenon njësimin e gjuhës letrare.
Më pëlqen shumë shtjellimi i temës patriotike qa janë ta shumta poetë e shkrimtarë kosovarë që e shkruajnë me shpirt patriotizmin e flakët.

● Cilët janë disa nga emrat me të preferuar të shkrimtarëve shqiptarë, meqë letërsia shqipe ka shumë emra kulmorë që krijojnë zhanre të ndryshme të letërsisë sonë?

ZOICA GJOLLA POPI: Shkrimtar im më i preferuar në gjithë botën tonë letrare është gjeniu Ismail Kadare. Dritëro Agolli, vepra e Lasgush Poradecit, Fatos Arapi, Zija Çela, Moikon Zeqo, Nasi Lera, Kim Mehmeti, Esad Mekuli, Anton Pashku, Ali Pordimja, Azem Shkreli, Mehmet Kraja, Musa Ramadani, Mirko Gashi, Din Mehmeti, Prend Buzhala, Dan Ibrahimi, Nexhat Rexha e shumë e shumë të tjerë të cilëve do t’u hyj në hak pasi që nuk po mund t’i përmend kësaj radhe. Letërsia e këtyre shkrimtarëve i kanë dhënë shpirt botë sonë letrare duke ndjekur standardin më të lartë të letërsisë bashkëkohore botërore.
Shumë shkrimtarë dhe poetë krijojnë veprat e tyre duke përcjellë mesazhe nga diaspora

● Shkrimtarja Gjolla Popi, çfarë mendoni rreth letërsisë së diasporës sonë?
ZOICA GJOLLA POPI: Të vjen keq që emigracioni e detyruar ka bërë që shumë shkrimtarë dhe poetë t’i krijojnë veprat e tyre duke përcjellë mesazhe nga diaspora. Megjithëse tema kryesore është malli për atdheun, të krijohet ideja që janë të shqetësuar për fatet e kombit. Me krenarinë e tyre kombëtare përpiqen të paraqesin nëpër krijimet e tyre figura të shquara të historisë së kombit tonë, si Skënderbeun, Nënë Terezën, Adem Jasharin dhe për heronj të tjerë Duke jetuar nëpër vende me demokraci të zhvilluar dhe me një fuqi ekonomike që ka rritur mirëqenien e popujve të tyre krijuesi i diasporës i prek më shpejt përjetimet nga problemet e mprehta sociale, ku edhe ka qenë i detyruar edhe të largohet.
Me këtë rast dua të përmend krijimtarinë e poetëve dhe shkrimtarë, si Ymer Shkreli, Shaip Beçiri, Gjekë Marinaj, Sahit Shala, Luan Kalana, Nexhmije Hasani etj.
● Jeni laureuar me disa çmime letrare, a keni mundësi të na veçoni ndonjë nga çmimet e pranuara?
ZOICA GJOLLA POPI: Më kë emocionuar çmimi nga Kosova ime, me emrin e shkrimtarit më të shquar të letërsisë shqipe bashkëkohore në Kosovë, “Azem Shkreli”, në vitin 2020, ku jam paraqitur me një poezi që mban titullin e librit tim të parë, “E larë me yjet”. Një çmim nga Akademia letrare Indiane, kur përfaqësova Shqipërinë etj.
Krijimtaria artistike nuk është biznes për autorët dhe poetët, por është frymë që lind me shpirtin, por që e vazhdon përjetësinë e tij me veprën e lënë
● Sa herë keni botuar libra jeni shprehur se qëllimi i krijimtarisë suaj është në funksion të bamirësisë, çfarë mund të thoni rreth kësaj?
ZOICA GJOLLA POPI: Mendoj që gjithë krijuesit, shkrimtarë, poetë kudo nëpër botë kanë diçka hyjnore në prekjen e ndjenjave, në ndjeshmërinë dhe përcjelljen e emocioneve nga thellësia e shpirtit. Ata e ngjyejnë penën me lotin e gëzimit apo të dhimbjes në ngjarjet përjetuese, aty ku gjendet burimi i frymëzimit. Të shkruash për të varfrit, për skamjen, urinë, jetimët, për të sëmurët, siç ishte edhe rasti i pandemia botërore, rasti i dhimbjes e i tragjedisë mbarëbotërore nga pandemia, e gjithë krijimtaria e tyre është një dhuratë e talentit për çdo lexues. Krijimtaria artistike nuk është biznes për autorët dhe poetët, por është frymë që lind me shpirtin, por që e vazhdon përjetësinë e tij me veprën e lënë. Unë profesor Mikeli kam dobësi për fëmijët dhe pleqtë. Dashuria dhe dhembshuria për ta më bën të ndjehem më shumë njeri. Ka fate në jetë që janë të pashmangshme, por për të pamundurit duhet të bëjmë të pamundurën. Vetë një dramë brenda familjes sime të madhe më kë shtyrë në sensibilizimin për të marrë pjesë sa më shumë autorë, lexues, në qëllimin e kësaj bamirësie. Të kesh brenda familjes një njeri me aftësi të kufizuar janë plagë që përjetohen nga të afërmit dhe një mirënjohje shpirti që ato e marrin nëpërmjet lotit të dhimbjes. Por kur këta janë fëmijë me këtë fatkeqësi është njësoj sikur kur kujdesesh për një engjëll në tokë. Mbesa ime, e quajtur Alba, u rrit deri në oshën 20 vjeç pa vrapuar dhe të lozte me shoqet e saj. Pa dëgjuar cicërimën e zogjve dhe pa shprehur përse qeshte apo qante. Ta gjitha dhimbjet deri në dridhje përcilleshin me shtrëngimet që i bënte kukullës së saj! Ndërsa vështrimi … ah, vështrimi, gjithmonë i përlotur duke dhënë shumë dashuri dhe mirënjohje deri hyjnore për të gjithë të afërmit që kujdesshin për të. Gjithçka që mund të shikonte jepte kuptimin e emocioneve të saj shpërthyese me një paqe pa fund, me një shpresë dhe dashuri për të jetuar. Fati e deshi për të ikur nga kjo jetë në moshën 20 vjeç, fëmijë, vajzë, nuse e veshur me të bardha, si një engjëll në përjetësi. Nismën time e kam quajtur “RrezeAlba”, që shitoja e këtyre librave të përdoret për festa me dhurata dhe qendra sociale kudo në vendin tonë që kujdesen për fëmijët me aftësi të kufizuar. Sikur edhe një qeshje më shumë e këtyre fëmijëve do ishte një dhuratë e bukur shumë e çmuar mes ndjenjave njerëzore.
●A shpresoni që në një kohë të shpejtë të ktheheni në vendlindje, në Kavajën bregdetare dhe Elbasanin e bukur, të lashtë me kujtimet e pafundta?
ZOICA GJOLLA POPI: Është njësoj se kur po të pyes: kur niset avioni më i afërt në lindjen Angli-Shqipëri, apo në linjën Angli – Kosovë, prandaj shpresoj të kthehem shumë shpejt.
● Cilat janë disa nga prioritetet tuaja, pra çfarë mund të presin lexuesit nga ju?
ZOICA GJOLLA POPI: Poezitë mendoj që t’i shkruaj vetëm në momentet e frymëzimit. Kështu që botimi i tyre do jetë pak më i rrallë se së ishte gjer me tani. Meqenëse e gjej veten vetën në prozën e gjata, kam në plan t’i përkushtohem novelës dhe pse jo romanit.
Më vjen mirë domethënë që intervista ime e parë më vjen më ftesë nga Kosova. Më duket si ëndërr që si një amatore të intervistohem me një personalitet i letërsisë shqiptare dhe ndihem tejet e privilegjuar që mu ofruan mundësitë që nëpërmjet pyetjeve dhe mjeshtrin e publicistikës të shprehem lirshëm për mendimet rreth krijimtarisë sime, opinioneve për autorë dhe poetë të ndryshëm të vendit dhe të huaj, po ashtu dhe problematikat që prekin letërsinë, artin dhe kulturën tonë për të ecur me hapin e kohës, me hapin e kohës dhe me vizion për të ardhmen.
● Ju faleminderit për intervistën! Ju uroj shëndet dhe suksese në krijimtarinë tuaj!
ZOICA GJOLLA POPI: Ju faleminderit edhe nga Ju profesor i nderuar! Bashkë me mirënjohjen time ju uroj shëndet dhe sukses në angazhimet tuaja profesionale!