Sythe në shpërthim – Zoica Gjolla Popi
Sythe në shpërthim
Në mbledhsha yjet në prehër
mjegullën ylber ta harkoj
shkundu, përgjigje e vonë
po..jo…ndryshojmë gjë?
Të zënça me gurë
dyzim që më lodh
në tëmthat që rrahin fort
si t’i them heshtjes “pusho?!”
Desha një fjalë
që akullnajat t’i shkrijë
më the “je shumë e mirë!”
vetëm aq… sa çud!
Ti kështu s’më ke mësuar
në dy shpirtëra trupat të rrinë
qenka çfarë na qenka
zemër e butë në zemërngrirë…
Thuamë, kë të fshij më parë
lotin tënd a lotin tim
dënesë, të rëntë pika
largomu ti me të mirë!
Shihe pemën luleçelur
s’është as dimër, as pranverë
u bëfsh njëherë siç ke qenë
sythet të gjitha do shpërthejnë!