Priti Yjet ! – Zoica Gjolla Popi
Priti Yjet !
T’i hodha yjet
mbledhur në dorën time
në trajektoren e dëshiruar
paç fat, po të thonë
në degët e një palme zogjtë nisën të cicërojnë.
Mos nga hapësira qiellore
morën ritmin e dyfishuar
nga prekja… pa prekje
nga afër e nga larg
në mollëza gishtërinjsh të nderë
në durim… pritje…
në një trokitje
të asaj porte që mbeti hapur?
Në melodinë e ëmbël
të lajtmotivit tonë
kujtohu
përmendu…
pa u ulur në prehrin e harresës!
Luaj me mua
shtriqi qelizat!
në përqafimin
sa një rrotullim
në orbitën e plotë ëndërrimtare!
Plot finesë
kthyer në njëanësi
të degëqëndresës
përthyer nga peshëmbajtja
e filizave të shpresës.
Në hijen e një palme
zogjtë cicërojnë…