November 21, 2024

Premtomë, Diell! – Zoica Gjolla Popi

Premtomë, Diell!

Për atë Hënë
s’do flë sonte!
padashje i ktheva shpinën
u harkua… mos u lëndua?

Ç’më bëre, Diell!
me penelin e argjendtë
në të rënë
fekse shumëngjyrat perënduese…

Shtanga
në konfiguracione mahnitëse
ma dërgove qenien
jashtë fantazisë time
aq sa m’u duk
sikur shëmbëlleve nëpër lëndinën
që puthej me muzgun.

Qëndro, më the!
me dorën e zgjatur
të zjarrtë
akoma të pashuar…
Jo… jo pas meje!

Çapkënshe
më joshe
më përkëdhele
mos më gënjeve
që perëndove pak më vonë
vetëm për mua?

Me shpejtësi drite
kapërdive ngjyrat
kur pe Hënën
duke zbuluar hiret e saj
në një mënyrë të panjohur
pak e turpëruar
lozonjare
ndjellëse…

Lerma Hënën… ah… hëna!
Dëshmitarja e gjitha dashurive…

Premtomë, Diell!
që nesër do puthemi
sërish në lindje!