November 23, 2024

Gonxhja e trëndafilit – Zoica Gjolla Popi

Gonxhja e trëndafilit

E këputa një gonxhe trëndafili
zgjatma dorën e ngrohtë
kudo që të jesh…

Pikëvesa akoma qëndron
shndrit në tretjen
e vështrimit tim.

Të lutem, merre
dehu me aromën
shkundu në imagjinatë!

Në kujtimin e një të qeshure
ngazëlluese
qielli e veshi ngjyrën e bluzës tënde.

Pak të hapur në provokim shqisash
malli shkopsiti gjoksin për të dalë.

Nga maja pemët
sythet shpërthyen
në një shtjellim dimëror
në mbështjellje avujsh.

Merre gonxhen e trëndafilit
kudo që të jesh
mbama shpirtin në frymëmarrjen tënde
pa le mos të çelë!