November 21, 2024

Shtrëngoma dorën – Zoica Gjolla Popi

Shtrëngoma dorën

Sa më pëlqejnë sytë e tu
kafe në t’kadifenjtë
pse ma fsheh i përmalluar
atë dritë që unë kërkoj
se në këtë humbëtirë të shkretë
unë ty vetëm nuk të lë
vallëzuar…valëzoj…

Shtrëngoma dorën
habitu me mua
pa shiko në maja pemësh
disa gjethe s’janë lëshuar
kanë qëndruar zemërake
me akacien e përdredhur
ngjitur kërcinj përkëdhelur.

Ej, ti perëndim dielli
luajte bukur sot me mua
gjysëmpemët i ndriçove
në zbardhje i llamburite
gjer mbi rrënjë i errësove
mos më çmend
për kokën tënde!

Me këtë inat të zënë
luaneshë do të bëhem
nga gjiri i lules dimërake
qumësht blete do pikojë
po frymoj në qenien time
njëherësh tokë e qiell
lutjen time ta dëgjojë…

As të vdekur
as të gjallë
në kët’ botë nuk të lë!