December 3, 2024

Qiell i vrenjtur – Zoica Gjolla Popi

Qiell i vrenjtur

Në një liri shpirti
nuk ka zinxhirë
a thua e përballoj
rrethinën e ngritur
me dashje apo pa dashje?

Ç’budallallëk
aty fantazia shfrenohet
imagjinata i mbledh vetëtimat
në një pikë lëshimi.

Me to do dirigjoj retë
në një melodi qiellore
që shpirtin ta ngrejmë peshë.

Shpërndaje qiell
melodinë e ëmbël
bëmë të harroj
dhimbjen që përpëlitet
në lumturinë që dridhet,
nga i ftohti gjer në palcë.

Jo deri aty
nga mërdhia të strukem
në fatin e kohës

Ti… e mban
kurorën e mbretërisë…

Por… por…

meloditë qiellore
janë te çuditshme
mund të tërheqin
në një akord ndryshe…

Prandaj
ndiqmë pas,
thirrmë…
merre me ngadalë, moj
ku shkon?!

Mos ma bëj qiellin të vrenjtur
në një mjegull të lagësht
që shpërndahet
pa formë
pa vetëdije
mos!