November 21, 2024

Të rriturit fëmijë – Zoica Gjolla Popi

Të rriturit fëmijë

Në vallëzim ylberesh vrapojmë
si dy fëmijë të rritur
a thua
rrëzohemi përdore
me kokën lart
në pika shiu që pikojnë me lotët?

Mbahemi fort
në shkëlqim ylberesh
përthithemi
mes ngjyrash mjegullore
rrethuar mes veti.

Mos u trishto
nga dritëhijet e çrregullta
lëvizja do puthet me harmoninë
dashuria me dhimbjen
po si s’ paska e lumturi
pa lotë?

Lëshoma zërin e shpirtit
nuk i dua fjalët e zbehta
asgjë s’do ndryshojë nga kjo mrekulli
në vallëzim ylberesh
përhumbemi,
rizgjohemi…
Unë e Ti!