November 21, 2024

Bijtë e mi – Zoica Gjolla Popi

Bijtë e mi

Hënë, moj
u ndjemë të dyja
lehona binjake
në një çast
pas mesnate…

Në flokëartat e lagura
nga bulëza djerse të ftohta
në afshin e nxehtë të dhimbjes
mes llavës së një shkrirjeje të plotë.

Aty ku shpirti shëmbëlleu
në ngjyra lindjeje
dalë një pjesë nga vetja
zemra, përkëdheli zemërzën
në çmendurinë e rrahjeve.

Rilindja zgjoi instinktin
e mbledhur një dorë
në zhbirimin e mbrojtjes
duke e harruar dhimbshurinë për veten.

Sa shpejt lutja mori
nurin e një Hyjnije!

Ç’ më ka mbetur zakon
të vë duart në dy gjinjtë
aq sa dhe sot pikojnë
në fjalëmblën
buzëputhje në ninullë.

Dhe mbetem dyzetë ditë
lehonë, të dyja moj Hënë
kur mbretërit s’kanë fron
para përuljes së një Nëne.

Bijtë e mi…!