November 21, 2024

Lulet e mollës – Zoica Gjolla Popi

Pranverë në zemrat tuaja!
Gëzuar familja jonë e madhe e eventit të fb!
Shendet, Paqe, Dashuri, Begati e plot Harmoni 2021!

Poezi

Zoica Gjolla Popi
Albania
UK

Lulet e mollës

U çelën padashur lulet e mollës
me petale gjysmë bardhë në rozë
ç’i gënjeu një rrezedielli dimri
sythënjomat u tkurrën
mbështjellë në pikëvesën e një keqkuptimi.

Mos u lëndo…..
gjithësesi ato u lëshuan
nga era që vinte
në shpate luginash
ku jehona kumboi
e kthyer në vakum psherëtimash.

Përse të vjen për të qarë?
Jo …… mos kështu….. jooo
ngrije kokën lart
vështro qiellin!
po qan me lotin tim
mbështetur dënesat
në gjoksin tënd.

Çudija…
përse ngrin në vështrimin e tretur?
në të gjitha tiparet
lëshon ngurrimin,trishtimin
duke pikturuar portretin e hatermbeturës.

Të përgjërohem i dashur
mos e prano atë humbjen e madhe
duke përplasur këmbëmpirat
për të mos u larguar
jo….. nuk kam për të ikur.

Bëre mirë që qëndrove
sepse s’e merr me mënd
sikur të ikje
do më dukej
sikur dielli, kishte ndezur zjarrin mbi turbullimin tim
sa shumë u tundova
me forcën jashtë forcave.

Ah keqkuptimi…
mbestë aty, në cipën e akullit
të pangjyrë!

Qeshja jonë me gjithë shpirt
si tingujt e ujëvarës
mes bardhësisë
bardhësi shkume
avujsh të bardhë
në ngazëllim qiellor
u deh nga aroma
e luleve të mollës!

29/12/2020

Dizajni i fotos nga Simon Corri!