December 3, 2024

Hapma portën, Kosovë! – Zoica Gjolla Popi

Hapma portën, Kosovë!

Kalëruar vargu im
në galop urtuar
në Kosovë po e ndal vrapin
me mall në zemër trazuar…

Me aromë Adriatiku mbështjellë
me gjurmë rëre të lagur
degë ullinjsh të gjelbëruar
nga Shën e Premtja bekuar.

Hapma portën, Kosovë
vij me mallin për varret
me trëndafila të kuq në duar
në përshpirtje për Indritin
e gjithë trimat në liri betuar!…

Ngrema vellon, jepma besën
jam një bijë Shqiptarie
gjer në palcën e ashtit
kam qarë për ty
dua të jetoj me ty!

Jepma një copë fuli gatuar
në çerep mbuluar
nga grurë në lëmë rrahur
e bukë të ëmbël ëmbëlsuar!

Le t’i bashkojmë lotët
në këngë dasme gëzuar
në tinguj çiftelie e klarinete
në të njëjtën melodi
qarë e kënduar!…

Lule mali e lule fushe
ndër fustane nusesh të derdhen
mbi vello të çelen
në peng malli mos ngelen.

Me hijeshinë tënde
hapma portën
të jap shpirtin, Kosovë!