Simfoni pëllumbash – Zoica Gjolla Popi
Simfoni pëllumbash
Në një simfoni pëllumbash
përqafohemi, sa mall…
qajmë e qeshim
siç dimë vetëm ne të dy.
Qielli merr flakë
një det s’e shuan dot.
Mos po kërkoj shumë
që zemra të mos ndahet
e loti të mos thahet?
Qetësohu!
Në kaltërsi qiellore
në rrotullim pëllumbash
vetëm paqe mund të ketë.
Bukur nuk është?
Me dy duar në lutje
në tokë plot luleçelura
me ujë të bekuar
a s’jemi larë?
Me hapje krahësh
në rrahje zemrash
ngjyrat e një degëluleje ndizen
në çelje tulipanësh
diçka tingëllon ndryshe.
Kujtohu, i dashur
si është e mundur
në nota muzike
zemra qesh e qan?
Gëzohu!
Në një simfoni pëllumbash
vetëm paqe mund të ketë.