November 22, 2024

Një ëndërr në fluturim – Zoica Gjolla Popi

Një ëndërr në fluturim

Ulërimë vargjesh
përgjigju honeve
në kumbime të panjohura
si ngadalësia e zvarritjes
në goditje lëkundëse
të një lavjerrësi jashtë kohe
jashtë imagjinate
jashtë orbite
në dridhje gjymtyrësh
për të qëndruar!
Të marrtë e mira, të marrtë!
Hiqmu!
do të kacafytem me ty
po ndenje si dënesë
e lumturisë së dikurshme!
Kam forcën e tërheqjes.
Çfarë, kujton se po tallem?
Dy krahë mjaftojnë
për të fluturuar
atje në hapësirën blu
ku ëndrra vazhdon
përtej shndritjes
në një galaksi yjesh
me emrin Shpresë.
Se pastaj…
Në cilën shtëllungë reje
të fshihem…
që mos të shohësh lotët e mi…
s’dua ta bëj qiellin të qajë!
Në cilin pështjellim mjegulle
të vrapoj e lagur
të shtrydhem
e mos të di
a është ngrohtë
apo mërdhij?
U mbledhshin petalet
e trëndafilave në gonxhe
u bëftë e freskët…
buqeta e Lumturisë!